>
LETERSISHQIP

Për Vete Kësaj Here!!

Furtuna mbaroi,
Mi more sytë,
dhe nuk shoh më.
Pranverën me të dëgjuar e kam,
se nuk po ja shoh atë dritë,
që thyen kreshtat,
e që zbret e tund hijet.

Zemrën ma more.
S'po ndjej ngazëllim,
kur më përshëndetin apo kur më urojnë të jem mirë me shëndet,
sepse plogështia në kraharor,
si një re e murrme,
shtrihet në vena, e unë mbeta pa zë,
pa emër.

Me dy thëngjinj të zjarrit që shove kur ike,
do të vizatoj,
dy sy për vete, të di se ku shkoj,
një zemër që ta mbush me trëndafila të kuq, ashtu siç i ka hije,
dhe qiririn që do ta ndizja kur do të bënim dashuri karshi vatrës së nxirë tashmë,
do ta kem për lutje,
që Zoti të më shndërrojë vizatimet,
në sy e zemër të vërtetë,
sepse kam nevojë të jetoj,
për vete kësaj here.
Pse si thua ti?!
New Jersey, March 2022