>
LETERSISHQIP

Mirëmbetç Mik

Sot dhe kafeja s'po më pëlqen,
E djegur pak dhe ashpër bluar,
As qielli sot për mua s'vlen,
Retë çmëndurisht në gri trazuar.

Shiu sikur ka bërë be,
Të na mbyt s'ka mëshirë,
Jam këputur jam bërë vrer,
Më ka humbur ç'do dëshirë.

As gazeta s'më lexohet,
Ca të vrarë, ca të kapur,
Lexoj ca pleq mbetën jetim,
Derën rrugës kanë të hapur.

Në djall vafshin lajmet e rreme,
S'më duron dot kjo zemër sot,
Në djall vaftë shiu me gjithë re,
Kamarier më sill një gotë.

Një gotë nga shishja ku mban fshehur,
Ta djeg të shuaj këtë gurmaz,
Jam burrë e s'më kanë hije lotët,
Në shpirt kam veç një maraz.

Gremisur qoftë karrigija bosh,
Pa ty hataja më zu o mik,
Me çan gjoksin tej përtej,
Ikja jote sikur një thikë.

Për ty, me fund e kthej gjithë shishen,
Por mik I dashur, kjo s'mjafton,
Sa herë mallkoj ndarjet dhe ikjet,
Aq herë kjo zemër e pëson.

Mirëmbetç vëlla në tokë të huaj,
Sa herë të vish unë këtu jam,
Tek kjo karrige të pres lotuar,
Si një murg që s'gjen derman.