>
LETERSISHQIP

Të Lamë Atdhe I Dashur

Ne ikëm si korbat I dashur Atdhe,
E ndiem veten plaçkitur,
Me leshra të gjata dhe barkut "korse",
Dhe kishim një gojë t'babëzitur.

U zvarritëm në ujrat që na ishin ndaluar,
Fluturuam qiejve të botës pa fre,
Ne s'kishim atëherë as kokë e as duar,
E s'dinim të ngrinim "koshere" të re.

Të prishëm, të dogjëm deri sa mundëm,
Çelikun ta shitëm për skrap,
Trenat I thyem se "janë të Enverit",
Pa ditur që duheshin prap.

Braktisëm fshatra i lamë pa shpirt,
Sikur ujqërit në mal çajnë kopetë,
I lamë dhe qytetet se s'patën më dritë,
Na trëmbën "rrufetë".

Si ciganë të lamë Atdhe, e shkuam,
Dikur me trasta e thase përmbi shpinë,
Sot trurin tënd botës ja shtuam,
Po humbim rininë.

Na fal për mëkatet që bëjmë ndaj teje,
Në emrin tënd Atdhe I dashur,
Nuk di a na ka mbetur fare pak shpirt,
Të jemi kaq cipëplasur?!

Arjana Fetahu Gaba

New Jersey, Korrik 2022