>
LETERSISHQIP

Sikur Zonjë Të Ishte Zoti!...

Pse, kur doli Perëndia
ç’ qe ai që kot së koti,
mendoi për të zitë e tia,
që Ai të quhej Zoti?!

Mundet të justifikohet,
e të vër dorën në zemër.
I bëj thirrje: të mendohet!
Sikur Zoti t’ ishte femër?!

Sepse gratë, o ju të dashur,
bukuroshet lajkatare,
sa e panë që ishte mashkull
mendjen ja lajthitën fare.

Dhe Zoti u mban hatërin,
i stolis me plot pekule
dhe e vë mashkull të mjerin,
t’ i sajdisë me lajle e lule.

Tu çojë letra e mesazhe,
të falet i gjunjëzuar,
t’ i lëvdojë me këngë e saze,
të kërkojë i përgjëruar

dashurinë, porsi lypsari,
një të puthur të malluar,
të pëllasë porsi gomari,
për ato dy sytë e shkruar.

Pa u shkruan poezira,
elegji plot përgjërime,
psherëtin, e marrtë e mira,
i pa gjumë nëpër agime.

Heqin meshkujt, të vërtetën,
ca prej femrës, ca prej Zotit.
Bëhen për të varur veten,
e i mbyt rrëkej’ e lotit.

Mbeftë pa tretur, i mallkuar!
Shtypeni në grykë, me thonj!
Pse do qemë të lumturuar,
po të ishte Zoti, Zonjë!

Mendoni vëllezër, meshkuj!
Mbetëm tranguj, rrota, trapa.
Të qe Zoti, Zonjë… ndër shekuj,
femrat, do na vinin mbrapa…

T’ ishte Zonjë, një kapedane!
Femrës do t’ ia nxinte jetën.
Dhe ne, burrat, kësaj ane,
do ta merrnim disi… veten…

Po mos ish ai truthari.
Po mos qe ai idioti.
Do kalonim për së mbari!
Do ja çonim… “si do Zoti!...”

Por, dyshoj e do ta them,
e le të mbetem pa emër,
mos “kumbari” more djem,
ka qenë ndonjë “doçe”, … femër?!