>
BIOSHQIP

Arsim Bunjaku: “Besimi Në Vetvete, Guri Themeltar Në Karrierën Time”

03-05-2014
Kantautori dhe solisti i mirënjohur nga Prishtina, Arsim Bunjaku, është i veçantë në lëminë që e kultivon. Këtë e ka treguar me veprat, apo më mirë ta themi tekset e këngëve të cilat i ka përdorur gati e gjithë estrada jonë. Sapo dëgjohet teksti i këngës, njihet menjëherë se kujt i takon si pronë, kujt tjetër veçse të madhit Arsim Bunjaku. Kemi nderin ta kemi atë në një intervistë ekskluzive për portalin tonë, e nga ai rrezon vetëm fjala e mirë dhe mirësia. Ju ftojmë të mësoni më shumë rreth tij dhe veprimtarisë së tij...

Teksteshqip: Na flisni pak për fillet e karrierës suaj...

Arsim Bunjaku: Fillet e karrierës sime datojnë nga viti 1990. Në atë kohë isha vokalist dhe kitarist i grupit “Mesnata”. Ky grup funksonoi për disa vite, e më vonë u shpërbë sepse dy antarët e grupit shkuan në Amerikë. Pas luftës fillova të shkruaj dhe të komponoj për estradë dhe që nga ajo kohë kam mbetur aktiv.

Teksteshqip: Cili ka qenë motivi që u ka shtyrë të krijoni?

Arsim Bunjaku: Motivi që më shtyu të krijoj ishte sëpari pasioni që e kisha për muzikën dhe nuk doja që ai motiv dhe talent të mbetet i shuar tek unë. Kështu që besimi në vetvete ka qenë një gur themeltar i ndërtimit të asaj që e kam sot.

Teksteshqip: Sa bashkëpunime keni realizuar deri tani?

Arsim Bunjaku: Kam pasur bashkëpunime të shumta dhe nuk e di saktësisht me numër, por një gjë mund ta them se kam bashkëpunuar me pothuajse të gjithë estradën tonë, mbrenda dhe jashtë !

Teksteshqip: Kë mund ta veçoni si bashkëpuntor më të mirë ?

Arsim Bunjaku: Nuk mund të veçoj asnjë nga të gjithë ata që punuam bashkë, sepse me të gjithë kam pasur dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera profesionale, kështu që për mua janë të njëjtë.

Teksteshqip: Arsim, na flisni diçka rreth projekteve që po realizoni për këtë sezon.

Arsim Bunjaku: Ka qenë një sezon i ngarkuar për mua. Para disa javësh e kam realizuar një këngë për vete, ku tekstin dhe muzikën e kam bërë vetë, kurse aranzhmanin Floren Boshnjaku. Realizimin e klipit do ta bëjë EMF Creative dhe besoj që brenda disa javësh do ta lansoj. E pres me padurim këtë gjë, sepse ka kohë që nuk kam punuar diçka për vete.

Teksteshqip: Po nga jeta private?

Arsim Bunjaku: Jam i martuar, kam një vajzë dhe kjo më bën të lumtur, më jep frymëzim dhe kurajo që t’ia dal mbanë. Përkrahja e familjes gjithmonë do të mbetet një mbështetje e madhe për mua.

Teksteshqip: Çka dëshironi të shtoni për fund?

Arsim Bunjaku: Së pari ju falenderoj juve, portalit tepër të shquar tuajit. Ndërkohë kisha dashur t'u bëja thirrje institucionëve tona që ta përkrahin edhe më tepër këngën shqipe dhe të jenë më afër autorëve duke ju ndihmuar në realizimin e veprave të tyre. Të bëjnë më shumë për të drejtën e autorit dhe në këtë mënyrë kënga shqipe ta gjejë statusin që e meriton. Ju uroj suksese!
(Arsim Kolari/Teksteshqip.Com)

Arsim Bunjaku: “Besimi Në Vetvete, Guri Themeltar Në Karrierën Time”