>
BIOSHQIP

Aurela Gace: Jam Krenare Që Jam Nga Labëria

29-12-2011
Këto ditë Shoqata Atdhetare, Kulturore "Labëria" festoi 20 -vjetorin e krijimit. Duhet thënë se kjo shoqatë është shoqata më aktive në vend për aktivitetet me karakter kombëtar, por edhe artistik. Grupet labe janë të ftuar në të gjitha koncertet brenda dhe jashtë atdheut duke përçuar këto këngë anë e mbanë globit, duke justifikuar tërësisht vlerësimin e dhënë nga UNESCO.

Shoqata "Labëria" në një takim të fundit vlerësoi për shumë intelektualë, këngëtarë, për punën që kanë bërë dhe bëjnë për diskutimet, botimet, me karakter kombëtar, por edhe për ruajtjen e traditës së këngëve labe dhe përhapjen e tyre kudo në botë. Midis shumë të vlerësuarve me stimuj moral "Mirënjohje e Labërisë" ishin, Ali Asllani (pas vdekjes) Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, publicistin Daut Gumeni, Nazif Çela. Grupi polifonik "Antea", Luftar Paja (si aktor që ka luajtur në mënyrën më profesionale fshatarin lab), ku midis të tjerave ishin dhe dy femra labe, gazetarja e mirënjohur Rudina Xhunga si dhe këngëtarja po kaq e mirënjohur, Aurela Gaçe. Në këtë ceremoni ishin rreth 300 të ftuar, 6 grupe polifonike labe nga gjithë krahina e Labërisë, ishin gjithashtu politikanë, poet, shkrimtarë, akademikë, etj.. Pas veprimtarisë bëmë për "Telegraf", një intervistë me Aurela Gaçe.

Ju keni marrë shumë tituj dhe stimuj moral, çfarë vendi zë titulli sotëm "Mirënjohje e Labërisë" me motivacion: "Këngëtarja me zë brilant, që këndon polifoninë labe karakteristike dhe përçon me zërin e saj meloditë dhe këngët aq shprehëse të kësaj treve kudo në botë"?

Zë vendin më të veçantë, vendin më të bukur, vendin më të spikatur. Zë atë vend që për mua ndoshta është titulli i vlerësimit që do ta kujtoj dhe do ta vë në një vend të veçantë në shtëpinë time.

Këtë e thoni sepse jeni para gjithë këtyre lebërve dhe doni të justifikoni titullin?

Aspak. Këtë e them me bindje të plotë për shumë arsye. Por kryesorja është sepse unë kam çarë në jetë me shumë vështirësi. Kam pasur në jetë shumë pengesa, shumë xhelozi, shumë thashetheme, por i kam kaluar sepse kam brenda meje karakterin e një labeje të vërtetë. Pa këtë karakter të kësaj krahine, ndoshta për një moment edhe mund të isha dorëzuar.

Sot kënduat sërishmi labçe. Kishit kohë pa kënduar një këngë të tillë?

Po. Me thënë të drejtën, të këndoja labçe me këngëtarë profesionistë kisha kohë. Kam kënduar në mënyrë sporadike, por me grupet tipike dhe famoze labe kisha shumë vjet.

Çfarë të kujtojnë këto këngë?

Fëmijërinë. Çdo mbrëmje në shtëpinë tonë këndohej labçe. Në shtëpi e mora dëshirën dhe erën e bukur të kësaj kënge të mrekullueshme që është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Kjo këngë ishte shtysa ime e parë që unë të bëhesha këngëtare.

Cila është kënga juaj më e preferuar polifonike që e këndoni në çdo rast?

Janë disa këngë të Lefter Çipës, por ajo që më jep më shumë emocion është kënga "Duke tundur zbret nga mali", kënga e Bejkes, ajo këngë që këndova dhe sot. Këtë këngë e kam si shansin tim, e kam si adrenalinë në çdo rast.

Si i keni mbajtur lidhjet me shoqatën "Labëria"?

Me thënë të drejtën, në fillimet e ardhjes në Tiranë, kam qenë më e lidhur. Sot pas këtij vlerësimi di të them se i jam shumë borxhlie. Shumë. Kur shikon sa të vlerësojnë dhe nuk mund tua shpërblesh me të njëjtën monedhë apo më shumë ndihesh keq. Le të mbetet si detyrë e së ardhmes që të jem shumë i lidhur me këtë shoqatë kaq patriotike.

Aurela nënë. Një status i ri… Si është jeta për Aurelën pas këtij momenti kaq të bukur?

Ah! Nuk ka gjë më të bukur në jetë se sa kur bëhesh nënë. Ky emër është magjik. Ndihem shumë e lumtur. Ndihem shumë e motivuar. Ndihem shumë me këmbë në tokë. Statusi i të qenit nënë, është përgjegjësi, që do të thotë më shumë punë, më shumë sakrificë, më shumë dashuri njerëzore, më shumë optimizëm. Ndihem një Aurelë tjetër.
(Albert Zholi Gazeta Telegraf)

Aurela Gace: Jam Krenare Që Jam Nga Labëria