>
BIOSHQIP

Aurela Gace: Do Martohem Në Shtator

19-06-2013
Diva e skenes shqiptare, Aurela Gace eshte mysafirja e radhes ne “Summer Pages”. Ne kete interviste te gjate per suplementin veror te “Gazeta Shqiptare”, uragani i skenes sone rrefen shume te pathena... Duke filluar nga angazhimi i perjavshem ne Tirane, tek klientet VIP qe vizituan club-in e saj kete vit. Mrekullia me emrin Grace dhe dasma me Skerdin, qe pritet te mbahet kete shtator. Te rejat qe do te sjelle gjate sezonit veror dhe angazhimi surprize ne fushate… Per cilin kandidat do te kendoje Aurela dhe pse? Lexoni ne vijim intervisten, per te mesuar pergjigjet e ketyre pyetjeve…

Aurela, sapo ke mbyllur sezonin e pare ne “Crazy Calvin”. Cilat jane emocionet qe ke marre nga gjithe ky vit, ku per here te pare ke qene kaq prane publikut kryeqytetas, sepse nuk ke qene kurre kaq intensivisht ne Tirane.

Eshte e vertete. ‘Live’ ne publik une kam qene vetem ne festivale dhe ne dy koncertet e mia recitale, qe i kam realizuar shume kohe perpara, ne vitin 1998 dhe 2000. Qe atehere ka kaluar nje kohe e gjate. I kam munguar 13 vjet skenes ku une shpalosa veten time. Por ne 13 vjet une edhe jam rritur, d.m.th. energjia ime eshte e njejte, por tani une di si ta manipuloj energjine qe kam. Nese me perpara isha - sic me ka quajtur profesori i kantos ne Nee York – nje boksiere e rruges, qe ka energji dhe force qe te rrahe dike, por nuk ka tekniken per ta perdorur kete energji kur duhet, tani e kam mesuar edhe kete. Kam marre tre vjet mesime ne Nee York dhe kam mesuar shume prej tij. Po t’i rikthehemi “Crazy Calvin”. E verteta eshte qe, - sic e kam shprehur edhe ne nje status timin ne “Facebook” - kam kaluar nje ekstaze shpirterore. Eshte shume e rralle per artistin qe te kaloje ne ekstaze shpirterore. Eshte mrekulli! Une nuk e di se cfare mund te kerkoje me teper artisti, sepse vetem keshtu ndihesh e plotesuar, kur i ke prekur njerezit nga afer. Mendoni vetem qe deri ne oren kater te mengjesit qe aty mbaronte muzika, nje muzike bombe, njerezit i kishe duke gezuar me ty, te gjithe me duart lart. Nuk kishte nje njeri qe te ishte pasiv dhe kjo nuk eshte e kollajte. Po ky rezultat nuk eshte vetem merite e imja, ndaj dua te falenderoj dhe vleresoj cdo njeri qe ka punuar aty. Duke filluar qe nga kamerieret, badigardet, i gjithe stafi, qe kane funksionuar si nje trup i vetem. Per te mos folur pastaj per anen e menaxhimit, qe tek dera, qe nuk lejohet te hyje gjithkush. Jo se aty ka ndarje, njerez me shkolle apo pa shkolle, nuk eshte ky skanimi qe behet, por nese ti nuk respekton nje kod veshjeje, nuk mund te futesh brenda. Mua me behej qejfi qe shikoja vajzat, grupe me nga 5-6 shoqe, qe kishin ardhur vetem. Per kete isha shume e kenaqur, sepse e kuptoja qe ndiheshin mire aty. Per te mos folur pastaj per bashkepunimin qe kisha me vellezerit korcare. A e di si ishte? Nje kombinim perfekt. Ishin nje here dy, nje here nje, dhe ne fund tre artiste qe xhonglonin publikun. Nuk e kemi lene nje moment te qete publikun. Edhe te rinjte qe i kishim aty ishin shume te talentuar. Te rinj qe publiku i njeh, por une jam gjithmone me parimin, “jepja doren atij qe ka nevoje per t’u shperfaqur, per te dale ne skene”. Edhe une vete kam qene e re, e vogel, dhe kisha nevoje qe te me shikonin. Plus kesaj, une arrita ne kete moshe dhe publiku akoma nuk me njihte sic duhej, ndaj dhe vendosa te shperfaqesha diku. Nuk di tjeter se si ta shpreh me bukur sesa me ekstaze shpirterore.

A ke fituar mire?
Perfitimet s’me kane munguar ndonjehere. Kam qene kengetare qe gjithmone kam pasur kerkesa per koncerte, dhe per kete falenderoj Zotin, qe une mund te jetoj nepermjet pasionit tim. Sepse ky eshte pasioni im. Kur une kam filluar te kendoj, as nuk e kam ditur cfare kane qene te mirat materiale, fama, sepse kam qene vetem 4 vjec e gjysme kur kam dale ne skene, dhe nje femije nuk kupton se cfare eshte fama, sidomos ne kohen kur une kam dale. E kam ndjekur endrren time, sepse e doja, nuk e kam ndjekur sepse do te kishte te mira materiale. Faleminderit Zotit qe une mund te jetoj nepermjet pasionit, sepse mund te isha nje piktore ose skulptore dhe te mos me shiteshin dot veprat e mia. Ndoshta edhe po te isha bere soprano do ta kisha te veshtire qe te gjeja pune, do detyrohesha te beja edhe dicka tjeter. Ndaj jam e kenaqur, argetohem, por nderkohe kam edhe jetesen time te siguruar.

“Crazy Calvin”, te ka larguar pak nga publiku i diaspores...
Shiko, une ne diaspore kam qene gjate gjithe kohes. Kam 20 vjet qe jam shume fort me koncerte ne diaspore, por tani erdhi momenti qe publiku ketu ne Shqiperi te me prekte, te me njihte, te me takonte nga afer, te kuptonte shpirtin tim ‘live’, jo vetem ne televizion. Une e kam shume te domosdoshem kontaktin. Nuk dua te bej dashuri me superpozim. Pasi kenga eshte dashuri per mua dhe ajo energjia qe krijohet kur je ‘live’ nuk ka te krahasuar me asgje tjeter. Po te them qe nuk ka te beje me anen materiale kjo pune, kjo eshte dashuri. Une, ja e bej ate njeri qe ka ardhur te me degjoje qe te kenaqet e te mos e harroje ate nate, ja nuk iki, nuk largohem. Nese nuk e arrij ate 100% sic e dua une, nuk me ze gjumi, me mbetet mendja aty, e vuaj, them “cfare bera gabim qe nuk ishte gjithcka ashtu sic duhej”, packa se publiku ndoshta thote “o sa bukur ishte”. Nese une vete nuk e kam ndjere qe ka qene ne kulmin qe kerkoj, eshte e kote. Kjo ka te beje me dashurine qe kam per muziken.

Mes njerezve qe kane frekuentuar club-in tend, pervec popullit te thjeshte qe te pelqen ty dhe vellezerit korcare, ka pasur edhe shume personazhe publike. Cili ka qene impakti qe ke marre prej tyre? Kane qene kolege, politikane, ambasadore...
Mua me eshte bere qejfi ne radhe te pare. Normal, me eshte perkedhelur sedra kur kam pare qe koleget e mi kane qene aty. Siparin e celi Arditi, Ardit Gjebrea, i cili hyri me kemben e djathte qe te me ecte mbare. Me uroi perzemersisht dhe ishte nje ndihme per mua ne momentin e pare, sepse jo shume njerez e dinin cfare do te ndodhte aty. Ai e perdori figuren e tij, - ndonese kishte ardhur per t’u argetuar, - per te na ndihmuar mua dhe vellezerit, sepse na ka miq te treve, dhe per kete e falenderoj, qe bashke me Arian Canin erdhen qe ne hapje. Pastaj sigurisht na kane vizituar, qe tek ambasadori Arvizu, e deri tek Edi Rama, i cili erdhi ne club i ftuar nga nje miku i tij qe kishte ditelindjen. Erdhi per te bere qejf, nuk ka pasur absolutisht aty asnje lloj lidhjeje me politiken. Se fundmi ka qene edhe Fatos Nano me bashkeshorten e tij Xhoana, nje nate perpara se club-i te mbyllej. Kane qene edhe shume figura te tjera, Shpetim Idrizi mos gaboj, e shume politikane. Sakaq kane ardhur shume e shume kolege te mite, te cilet i falenderoj qe me kane mbeshtetur, jo vetem mua, por te gjithe stafin. Falenderoj te gjithe gazetaret qe na kane vizituar. Falenderoj Adi Hilen, i cili doli ne jete nate sic rralle here ben, bashke me Pandi Lacon, dhe me kane nderuar me prezencen e tyre. Nuk dua te permend emra, se mund te qelloje qe te harroj ndonje, por kane ardhur me te vertete shume personazhe. Gjithsesi, une dua te falenderoj publikun qe ka qene aty cdo jave. Ne kemi pasur nje publik qe vinte aty cdo fundjave dhe une thosha me vete ‘ua, kaq shume na duan, sa vijne cdo jave ketu’, se edhe une te isha do isha merzitur me veten. Une aq merzitem me veten, sa cdo jave ndryshoj look-un.

Edhe sot je me look te ndryshuar...
Po sigurisht. Ne fillim thosha me shaka, “une Skerdit i jap nga nje te dashur cdo jave, nje here ia coj bionde, nje here brune, nje here te kuqe, nje here te shkurtra, nje here te gjata”, dhe kur mbaruam sezonin, u ulem i gjithe stafi per te pire nga nje gote dhe per te bere gezuar. Ne muhabet e siper Endri i thote Skerdit: “Une thashe se tallej kjo, po kjo e paska pasur seriozisht. Lum si ti ore, nga nje te dashur cdo jave”. E verteta eshte se ne shpirt jam e njejta dhe prandaj Skerdi s’me nderron. Jam e lumtur vertet, qe nuk ka pasur nje dite qe mund te kete qene me pak publik, dhe per kete i falenderoj pafund. Personazhet jane ata aty, pavaresisht personazheve te njohura qe kane ardhur tek ne. Ah, ne sezonin tjeter do doja te vinte dhe Berisha, sepse kane ardhur te gjithe pervec atij. E ftoj edhe Berishen qe te vije aty, sepse eshte i vetmi vend ku jam e bindur qe do te kenaqet, pasi une di te kendoj edhe kenge tropojane, megjithese ai eshte shume artdashes me sa kam vene re. Se fundmi e pame edhe tek Cani qe e kishte plot i-pad-in me kenge, keshtu qe, mire do te ishte te na e tregonte cilen kenge pelqen, qe ta mesojme dhe t’ia kendojme. I bej ftese te hapur (qesh), meqenese gjithe te tjeret ishin... Le qe, tani qe e mendoj, nuk ka ardhur as Ilir Meta.

Po Lulzim Basha, ka ardhur?
Uuuu, ishte i gjithe stafi i Bashkise ne mbyllje... I kemi pasur te gjitha partite aty, sepse ata ndjejne qe aty eshte gjithsecili i lire. Ne jemi aty per te argetuar publikun. Pertej shakase, ata jane qytetare te lire dhe mund te bejne cfare te duan.

Do te perfshihesh ne fushate kete vit?
Une kam 13 vjet qe nuk perfshihem fare ne fushate. Kam pasur kerkesa dhe ftesa nga miq, sepse duhet te keni parasysh qe une jam njeri dhe kam miq, nga te gjitha anet, nga te gjitha forcat politike, por u kam kerkuar qe te mos me fusin ne kete bela, ose u kam thene: “Duhet paguani aq shume qe te perdorni figuren time dhe une te mos punoj per nja 4-5 vjet”. Po une s’rri dot pa punuar, sepse kjo, e thashe, eshte kenaqesi shpirterore e imja, keshtu qe kam zgjedhur te mos marr pjese fare. Kam shume miq nga te gjitha anet dhe nuk dua qe t’i ngelet hatri askujt, ndaj kam zgjedhur te mos perfshihem. Vazhdoj ate punen time, jeten time. Por eshte dikush te cilit s’i them dot “jo”. I vetmi personazh te cilit une do t’i shfaqem ne mbyllje te fushates eshte nje mik, te cilit i kam nje borxh prej 13 vjetesh. Ne koncertin tim te dyte recital, ka qene i vetmi politikan, mik, qe i eshte pergjigjur telefonates sime per ndihme. Sepse te besh nje koncert recital ka shume harxhime, shume, dhe prandaj nuk kam bere nje tjeter keto kohe, por do bej se shpejti, jam e bindur. Me kete force qe kam ne koke, po nuk dola ne skene une vdes shpirterisht... Sic po thoja, me jane dashur shume para, dhe e verteta eshte qe Arben Malaj ka qene i vetmi qe me eshte pergjigjur. Me ka ndihmuar dhe nuk ma ka zene kurre ne goje. Eshte treguar aq fisnik, sa asnjehere nuk me ka kerkuar as edhe nje nder dhe nuk e ka permendur kurre; qofte ne familjen e tij, qofte ne ambiente te tjera, nuk e kam degjuar njehere qe te thote qe, “une e kam ndihmuar Aurelen”. Dhe per kete fisnikeri qe ka treguar ndaj meje, duke qene se une nuk i harroj njerezit qe me ndihmojne, aty do te shkoj pa para o njerez. Ai e ka bere pagesen e tij perpara 13 vjetesh, e ka dhene paradhenie, dhe me vjen mire qe eshte i pavarur, qe ka dale individ me vete, sepse une do te shkoj ta mbeshtes si individ per ate qe ai ka bere per mua. Jam mirenjohese ndaj njerezve qe mua me kane ndenjur prane dhe kaq. Sigurisht, thashe, nga te gjitha anet kam miq, por ky personazh eshte treguar shume fisnik me mua dhe une dua t’ia kthej fisnikerine mbrapsht. Edhe Zoti thote qe mirenjohja eshte ajo qe vlen me shume...

Cfare do te kete sezoni i ri ne “Calvin”?
Ua, pse qe tani do ta dini ju?! Ne kemi filluar ne fakt.

Une di qe ti ke kohe qe punon?
Ke te drejte. Kemi filluar qe tani me grupin te perzgjedhim kenget, te hartojme nje skalete per programin, po mendojme per veshjet, per skenografine, e cila do te pesoje ndryshime... Shiko, une do doja qe te ngjitesha e te zbrisja me litar, me flake, mundesisht te beja cirk. Domethene do doja t’i beja te gjitha... Ore flake te nxirrja nga goja po te them, a ka mundesi ta beja edhe kete?! Nuk di te nxjerr, se ndryshe do te me kishin quajtur drakula pastaj (qesh), por une jam dua t’i shokoj njerezit gjate gjithe kohes. Vdes qe publiku te mahnitet, qe te ndodhe ajo qe ai s’e pret. Nuk dua te jem ekuacion i zgjidhshem, nuk dua te thuhet qe, “une e di cfare ben Aurela”... Nuk dua qe ti ta dish se cfare do bej une neser. Po ju tregoj p.sh. se cfare me ndodhi javen e fundit me vellezerit korcare. Une duhej te dilja ne skene me nje kostum te Blues Brothers, pasi do te performonim te tre, dhe pastaj duhej te nderrohesha prape. Por nuk u morem vesh. Prit e prit une mbrapa skene, derisa ne nje moment llogarita minutat dhe pashe qe nuk me dilte koha qe te nderroja edhe nje kostum tjeter pas ketij, dhe atehere i thashe vetes “zjarr Aurela”. E vesha poshte kostumin me te cilin do te dilja heren e trete. Ishte nje kostum pak i cmenduar, krahasuar me te parin dhe te dytin. Siper kisha kostumin e Blues Brothers, me te cilin performova me djemte... Ata prisnin qe une te largohesha perseri dhe te nderrohesha per performancen tjeter. Nderkohe une u thashe “jo”. Do ta bej ketu ne mes te njerezve... Dhe ndodhi ajo qe nuk mund te pritej. Une ne nje fare menyre bera striptize ne skene, megjithese nuk do doja ta quaja keshtu, u zhvesha vertet aty, pasi nuk kisha tjeter rrugezgjidhje. Une nuk ngec asnjehere, nuk dua te mendoj qe nje gje nuk behet. Nuk kam kohe; po, hajde te zhvishem ne skene. Ama kostumin e trete nuk e lija pa e veshur (qesh).

Sezoni veror cfare do te sjelle te re?
Kam pasur shume kerkesa ne fakt dhe mezi i kemi manovruar, qe te kem mundesi te leviz edhe ne diaspore edhe ne Kosove, pasi vertet nuk kemi pasur kohe dhe ndonjehere u ngelet hatri miqve qe i kam refuzuar.

A do te kete kenge te reja?
Une jam duke punuar shume fort per nje kenge, do doja qe te dilte pak me perpara, por nuk jam duke e shtyre. Cdo gje ne momentin e duhur. Kenga eshte pothuajse gati nga ana e audios. Eshte punuar ne studion e Adrian Hiles, ne nje bashkepunim qe besoj se do te jete i bukur, pasi edhe vajza ime e ka mesuar kengen. E degjon ne makine dhe shoh qe reagon dhe e kendon, pasi i ka mesuar edhe fjalet e para. Kjo me duket shenje e mire, sepse po iu fut femijes ne koke kenga, do te thote behuni gati pasi po vjen nje vullkan...

A do te kete pushime?
Pushime sigurisht do te kete. Do te jene fatkeqesisht nga fundi i gushtit. Nuk do te mundem te bej dot pushime shume te gjata, por fatmiresisht ne “Crazy Calvin” po behet edhe dicka verore. Do te hapet edhe club-i veror, do te behet edhe pishina, keshtu qe une aty tek pishina do jem, kush do te me shikoje me rroba banje le te urdheroje. “Crazy Calvin” do te vazhdoje ne nje fare menyre edhe ne club-in veror. Ne do te shfaqemi aty duke performuar, por edhe ne Dhermi, aty ku ka filluar ideja per te hapur nje club ketu ne Tirane. Sepse club-i eshte ne Dhermi. Une kam pasur ftese vjet nga ai qe u be sebepi i gjithe kesaj. Shkova atje me bashkeshortin tim, dhe Skerdi me Vin Bakallin u takuan atje dhe thane: ‘ej nje sekonde kjo e ka mendjen vetem per te kenduar, ne te dy do bejme dicka ne Tirane, qe te kenaqen te gjithe’. Keshtu ndodhi qe u hap, ndaj une do te jem edhe ne Dhermi ne disa data, do te vazhdoje tradita le te themi... Kam shume te reja kete vit ne fakt. Nje sezon full, plot me pune, me pushime, me kenge te re, kam nje risi qe mendoj se eshte e bukur, videon do mundohem shume shpejt qe ta xhiroj, ndersa ne shtator do te kurorezojme edhe dashurine bashke me Skerdin, keshtu qe kemi nje sezon plot, plot. Dhe mbas kurorezimit do te hapim serish sezonin ne “Crazy Calvin”.

E ke menduar dasmen, si do te jete?
Dasma do te jete per qejf. Nderthurje e elegantes me sportiven. Do te jete ne club-in veror qe ne do te hapim. S’kam ku te gjej nje vend tjeter me te mire. “Geraldina Sposa” do te beje gjithe arredimin dhe do te me veshe mua nuse. O Zot! Do vishem une nuse, me ne fund...

E beson dot?
E besoni dot ju?! Perfundimisht e hengra. Po ia ka vlejtur.

Vajza do te jete shoqeruesja?
Po, Grace do te jete shoqeruesja dhe deshmitarja e dashurise sone. Ajo eshte fruti i dashurise sime me Skerdin. Une i kushtova edhe kengen “Shpirt i shpirtit tim”, dhe i thashe ‘me ty, bashke me ty le te thinjet jeta ime’ dhe dua vertet te thinjet jeta ime me Skerdin, sepse jam e lumtur. Nuk dua asgje tjeter nga jeta. Jam e lumtur me cfare kam.

Kjo eshte cfare ke dashur gjithmone?
Une kam dashur nje njeri qe te me kuptoje ne perpikmeri ne detaje, ne kete qe jam, dhe te me doje ne kete qe jam. D.m.th. Skerdi nuk kerkon aspak te ndryshoje asgje timen, eshte gjithmone i dashuruar me ate qe une bej. Sa me shume qe ai eshte i dashuruar me ate qe une bej, aq me shume e dua une ate. Ky ishte celesi mo njerez, prandaj nuk gjeja une. Pse te me ndryshosh mua? Une jam garipe fare, jam tipe fare, pse te me ndryshosh?! Lum ai, sepse kjo gje ka edhe benefite pastaj.

A t’i ka ulur Grace dozat e cmendurise?
Jo, tani jam me keq madje. Me duket sikur sapo kam filluar jeten. Grace ma ka shtuar deshiren qe te kem sa me shume femije, po s’kam shume kohe. Do bej nga nje ne tre vjet.

Kam idene qe Grace do behet me moter ose me vella?
Po, patjeter, kemi plane, por jo tani. Fillojme sezonin tjeter dhe nuk duam qe ta leme publikun te prese. Kemi edhe nje sezon tjeter dhe pastaj do te nisim djalin. Keto jane punet e Zotit ne fakt, keshtu qe le t’ia leme atij ne dore.

Po ty Zoti, te do?
Mua zoti me do, e kam shkruajtur ketu ne dore, e kam bere tatuazhin tim te pare. Nuk kisha asnje tatuazh ne trup, madje te gjithe mendonin se une do ta kisha trupin te mbushur me tatuazhe, por jo. E kam bere shume vone tatuazhin tim te pare dhe ka qene dicka shume e ndjere dhe domethenese. Une e kam ndjere ne jeten time qe Zoti me do, qe jam e bekuar.

Do rikthehesh ne festivale?
Jo, pse te rikthehem. Ne fakt eshte nje shprehje, kurre mos thuaj kurre, po per momentin s’e besoj. Nuk e di.

Si te duket muzika sot?
Do flas me mire per ate cfare do publiku. Ketu ishte krijuar nje ide qe duhen Dj rumune, duhet muzika e huaj, qe ketu duhet te kendosh dhe te imitosh cdo gje te huaj, por une cdo jave ne “Crazy Calvin”, kam pare te kunderten. Publiku do te degjoje muziken e shpirtit te vet, qe eshte muzika shqiptare. Ai e pelqen kur une kendoj ‘hard rock’, ama e tundin token kur une kendoj labce. Ja, krahasoje me ushqimin, se muzika eshte ushqimi shpirteror. Ti ke nevoje te hash ne restorant, me gjithe elegancen qe ka restoranti, ama do ta hash edhe ne shtepi, ta ngjyesh buken ne gjelle, ta lyesh me vaj e me kripe...
(BalkanWeb)

Aurela Gace: Do Martohem Në Shtator