>
BIOSHQIP

Aurela Gace Ju Fton Në Dasëm

07-09-2013
"Mami Aurela dhe babi Skerdi nga punët e shumta kanë harruar të martohen. Kështu që, ditën e premte, dt. 20 shtator 2013, tek ‘Stela Resort’, në orën 20:00, me detyrim-përcaktim, do të paraqiten ata dhe ju, për të qenë pjesë e një feste të çmendur martesore, të organizuar nga unë Grace. Tani e tutje lajmi i parë jam vetë”... Ky është teksti i ftesës që Aurela Gaçe dhe Skerdi Gjonaj u kanë shpërndarë të ftuarve për ceremoninë e tyre të martesës.

Një ide gjeniale, e ndërtuar nga çifti i njohur dhe nga drejtuesit e agjencisë së famshme martesore “Geraldina Sposa”.

Lajmin e martesës, Aurela Gaçe, unikja e skenës shqiptare e bëri për herë të parë publik në një intervistë për suplementin “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”. “Në shtator unë dhe Skerdi do të celebrojmë dashurinë tonë. Dasma do të jetë për qejf. Një ndërthurje e elegantes me sportiven. ‘Geraldina Sposa’ do të bëjë gjithë arredimin dhe do të më veshë mua nuse. O Zot! Do vishem unë nuse, më në fund... Përfundimisht e hëngra. Po ia ka vlejtur”, tregoi Aurela asokohe.

Dhe siç pohoi vetë atë herë, vajza do të jetë protagonistja kryesore e ceremonisë, ndaj edhe në krye të ftesës qëndron emri i saj. “Grace do të jetë shoqëruesja dhe dëshmitarja e dashurisë sonë. Ajo është fruti i dashurisë sime me Skerdin. Unë i kushtova edhe këngën ‘Shpirt i shpirtit tim’, dhe i thashë ‘me ty, bashkë me ty le të thinjet jeta ime’, dhe dua vërtet të thinjet jeta ime me Skerdin, sepse jam e lumtur. Nuk dua asgjë tjetër nga jeta. Jam e lumtur me çfarë kam”, rrëfehu Aurela.

Dasma e çiftit të njohur do edhe dy javë që të mbahet, dhe ne ju premtojmë që do të sjellim detaje të tjera në ditët në vijim...
(BalkanWeb)

Aurela Gace Ju Fton Në Dasëm