>
BIOSHQIP

Aurela Mbledh Miqtë Në Një Koncert Bamirësie Në Vlorë

08-12-2013
Ajo është cilësuar uragani i skenës shqiptare!

Me zërin dhe risitë që ajo ka sjell në muzikë ka bërë për vete artdashësit e muzikës.

Kjo është këngëtarja nga Vlora, Aurela Gaçe, e cila nuk e harron në asnjë moment vendlindjen e saj, duke treguar se është një vlonjate e denjë.

Këtë gjë e tregon më së miri edhe nëpër koncerte, ku përmes një postimi në rrjetin social “facebook” ajo paralajmëron një koncert bamirësie ku fondet e të cilit do të shkojnë për restaurimin e një shkolle në një nga fshatrat e Vlorës.

“Përpara disa javësh, mora një telefonatë nga drejtoresha e shkollës në Cerkovinë (një fshat në Vlorë) dhe më kërkoi ndihmë, ashtu siç kishte bërë me të gjithë këngëtarët e Vlorës. Të gjithë ne, do të jemi të hënën, 9 dhjetor në orën 18.00 në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku do të japim kontributin tonë, do të zbavisim njerëzit dhe ndërkohë ato të ardhura të mbledhura, do të shkojnë në ndihmë të restaurimit të shkollës në Cerkovinë dhe të nevojave që kanë fëmijët”, shkruan Aurela.

Duke kujtuar me nostalgji fëmijërinë e saj edhe pse mes shumë vështirësive ajo thotë se, “... mbaj mend që kur unë kam qenë në shkollë, këmbët rrinin akull të ftohta edhe pse kisha këpucë e çorape, edhe pse aty mund të ndodhej një sobë e vogël me dru. Imagjinova që ndoshta në këtë shkollë e në shumë të tjera, mungojnë dritare e ku di se çfarë! Për këtë arsye vendosa ti them po telefonatës që mora”, pohon këngëtarja. Aurela tregon se ky koncert do të mbledh artistët legjendarë të humorit, “Parodistët e Vlorës”, Poni, Maya, Mariola Kacani, Grupi “Ali Pasha”, e shumë emra të tjerë që i janë përgjigjur kërkesës për ndihmë.
(Blerta Tusha/shqiptarja)

Aurela Mbledh Miqtë Në Një Koncert Bamirësie Në Vlorë