>
LETERSISHQIP

Buzëqesh Dhe Dashuro

Sa mirë do të ishte bota, sikur ne ta kontrollonim veten tonë,
Atëherë kur jemi në kulm të nervozes.
Atëherë ku na bëjnë keq, ne të mos e kthenim në të njëjtën mënyrë.
Kur dikush do të na shante, ne t’ia kthenim me përshëndetje dhe urim.
Kur dikush na mallkon, ne të luteshim për të.
Kur dikush na shpreh urrejtjen haptas, ne ta shprehnim dashurinë për të haptas.
Kur dikush na bën me lot në sy, ne t’ia kthenim me buzeqeshje, kur ai do të lotonte.
Si do te dukej bota me këtë peizazh? A do të vuante bota nga kjo dhembje, sikurse vuan sot?
Dashuria asnjëherë nuk është e dëmshme.
Bota asnjëherë nuk ka vuajtur, kur ka pasur dashuri.
Ka vuajtur dhe vuan nga mungesa e saj.
Dashuria është gjëja e vetme, që kur ndahet shumohet.
Pra, mos ta kursejmë dashurinë, sepse asgjë nuk humbim.
Jeta do të jetë e lumtur, vetëm kur do të ketë dashuri me bollëk.
Mos ta kursejmë dashurinë, sepse kur të vdesim nuk do ta marrim me vete.
Qefini ynë nuk ka xhepa, pra asgjë nuk do të marrim për në botën tjetër.
Ta ndajmë dashurinë, sepse të gjithë kemi dëshirë të jemi të dashuruar.
Askush nuk dëshiron të jetë i urryer.
Atë që nuk ia dëshiron vetvetes, pse atëherë ia bën tjetrit?
Duaj e mos urrej.
Buzëqesh e mos rri i vrenjtur.
Fal e mos u bën koprrac.
Të gjitha që i bën sot, një ditë do t’i gjesh.
Ndrysho jetën tënde me buzëqeshje dhe dashuri.
Fali që të dyja, dhe mos i kurse aspak.
Nëse i mban për vete asgjë nuk përfiton.
Çfarë të duhet buzëqeshja në fytyrën tënde, kur nuk ia fal askujt?
Çfarë të duhet dashuria nëse e mban veç për vete?
Asnjëra nuk të duhen vetëm ty, andaj ndrysho vetveten dhe botën.
Bota fillin e ndryshimit e ka tek ti.
Ti e ndryshon botën, jo bota vetvetiu.
Bëje botën rob tëndin, e jo ti rob i botës.
Bëje buzëqeshjen dhe dashurinë armën tënde më të fort.
Hapi drynat e zemrave të mbyllura me buzëqeshjen tënde.
Përdore armën që nuk lëndon aspak.
Arma jote fal gëzim dhe lumturi.
Një buzëqeshje e jotja, që ty nuk të duket asgjë dje nuk të kushton aspak, për dikë është tërë bota.
Atij që i mungon gjithçka, dashuria jote, mund të jetë fillimi i lumturisë.
Ndërto kështjellën tënde mbi themelet e dashurisë dhe buzëqeshjes.
Fito gjithçka me armët tua.
Buzëqesh dhe dashuro, janë gjërat më të lehta, më të ëmblat dhe falin lumturi.

6. V .2014