>
LETERSISHQIP

Kryengritje

Po du liri!
Nuk po marr bajrak, por jam zani i njerëzve të robnumë.
Po flas i mushun mllef deri në fyt, e me dhembje deri në asht.
Po bërtas se frymën ma keni zanë.
Po bërtas kundër teje politikan me kravatë, që tokën ma keni ngushtu.
Jam zani i dëshmorit që gjakun ia shite e me të bane pazare.
Jam zani i ushtarit që gjakun e shiti për bukën e familjes.
Jam zani i fëmijës së dëshmorit, që me patericat e tjerëve u rrita.
Jam melodia e zorrëve të fëmijës së uritun.
Jam gjama e plakut të sëmur.
Jam zani i lypsit, që ti ia vjedhe pasuninë.
Jam kundër teje politikan, që shtetit lirinë ia shkatërrove.
Po bërtas se arsimin ma shkatërrut, e shkollën me drogë ma keni mush.
Po bërtas se në spital fëmija po më vdes.
Po bërtas se në polici po më vidhet droga.
Po bërtas se hoxhën ma arrestove, pa asnjë argument.
Po du liri!
Po du me jetu i lirë, prangat frymën ma kanë zanë.
Kryengritje se robri spo mundem ma.