>
LETERSISHQIP

Orkestër E Heshtur

Tastierat e pianos janë bër njëlloj
Të bardhat dhe të zezat i ka mbulur pluhuri
Tingujt janë mbytur në thellësin e kohës
Gishtat që luanin mbi taste më nuk janë
Edhe partiturat janë zbehur e më nuk lexohen dot.

Nga violina e vjetër më tingujt e dhembjes nuk dalin
Janë vyshkur e mekur këngët e vjetra
Harku është plakur bashkë me gishtat e mjeshtrit
Violina nuk qanë më as për pronarin e saj
Ia janë shterrur lotët moti, me vite kohë.

Kitarës ia janë këputur telat
E heshtja e ka mbytur
Nuk e këndon më këngën e Rexhës.

Lahuta rri e varur në mur
Epikën e ka harruar
Nuk i këndon më Mujës e Halilit
As Oso Kukës e Zhuj Selmanit
Fishta do të qante po ta shihte ashtu
E do e mallkonte secilin që nuk këndon në lahutë

Në çifteli kënga u ndalë
Heronjët më s'ka kush i këndon
Dervish Shaqën e mbulon djersa
Po t'i dëgjoj këto të vërteta.

Orkestër e heshtur
Të heshtur edhe ne
E presim kohën e re
Duke harruar që koha jemi ne.