>
LETERSISHQIP

Sa Shumë Për Ty Kam Mall

Krejt bashkë prapë u bëmë
Shumica qeshen dhe përshëndeten
Fotografohen, megjithëse për çdo gjë edhe s’është e thënë
Arsyetohen se vetëm fotografitë kujtim mbeten

Dhe m’i tregojnë një nga një fotografitë
Dhe më thonë: “Ja, sa mirë jemi këtu”
Kurrë s’i kam dashur, gjithmonë m’i trazojnë mërzitë
Se kujtimet m’i çojnë peshë tej e tëhu

Në dasmë prapë të gjithë do të mblidhemi
Do të këndojmë, vallëzojmë dhe bëjmë fotografi
Shumë fotografi, shumë kujtime
Tashmë duhet t’i ruaj pa ty

Shpejt ike, sikur këtu mbarove punë
U bë më se një vit që s’të kam pranë
Sa fort ma tundi shpirtin kjo furtunë
Sa shpesh sytë m’lotojnë që më nuk të panë

I mungon gruas, bijës, rrugës e malit
Miqve, fqinjve, që si mjegulla po u zhdukesh nëpër fjalë
Oborrit, djemve, veçmas djalit të djalit
Sa shumë më mungon, sa shumë për ty kam mall