>
BIOSHQIP

Big Basta: Ja Si Lindi Dashuria Me Vesa Lumën

29-03-2013
Vesa Luma u dashurua me një djalë nga Tirana dhe kjo gjë e ka bërë që tashmë jetën ta ndaj mes kryeqytetit dhe Prishtinës ku ka edhe familjen e saj.

Historia e dashurisë me Big Bastën, ishte mbajtur e fshehtë për një kohë, por nuk kishte shpëtuar nga vëmendja e mediave. E lindur larg syve të publikut, kjo lidhje tashmë është ndër me të komentuarat.



Duke folur për këtë histori dashurie, Big Basta thotë:

"Me Vesën është një histori, po aq private sa edhe e bukur të them të drejtën. Të dy kemi vënë re një lloj afeksioni ndaj njëri-tjetrit, gjë që nuk mund ta mohoj se është vënë re edhe nga njerëzit. Të them të drejtën ndihem shumë rehat dhe shumë krenar për aq kohë sa kjo histori është shumë e bukur. E kemi ndërtuar me një lloj fanatizmi, sepse përveç faktit që ne jetojmë në Shqipëri dhe Vesa është nga Kosova, përballemi edhe me mentalitete të ndryshme. Nuk do t’ia lejoja vetes që këto mentalitete dhe gojët e këqija të prishin atë raport aq të bukur që unë kam ndërtuar me Vesën".



Reperi nga Tirana ka rrëfyer se çfarë e ka tërhequr tek Vesa dhe më pas e ka bërë të dashurohet me të.

"E para e punës e kam pëlqyer për faktin që është bionde (qesh). Gjithmonë kam pasur një lloj simpatie, por kam pëlqyer edhe mirësinë e saj. Vesa është person që rrezaton mirësi. Duke qenë se ne kemi nevojë në këtë botë për njerëz me pozitivitet, ky ishte magneti i parë që më tërhoqi. Kemi shumë të përbashkëta dhe nuk ka lidhje se jemi nga Tirana, nga Prishtina apo Somalia. Unë besoj tek lidhja shpirtërore që dy njerëz kanë ndaj njëri-tjetrit dhe energjia që përcillet.

"Për sa kohë që synimet janë pozitive unë besoj se gjithçka do të shkojë mirë", ka thenë Big Basta, duke shtuar:

"Jemi dy njerëz që na përputhen shumë karakteret. Unë kam investuar edhe në gjëra të tjera përveç muzikës dhe Vesa është mbështetje morale për mua. Ajo më mbështet në muzikë, tek puna ime dhe kam përshtypjen se çdo mashkull për këtë ka nevojë tek një femër. Për aq kohë sa një femër plotëson këto gjëra tek unë me plot gojën mund të them se jam rehat dhe ndihem shumë mirë".
(Express)

Big Basta: Ja Si Lindi Dashuria Me Vesa Lumën