>
BIOSHQIP

Big Basta: “Po Vjen Radio E Parë Hip-Hop”

07-04-2014
Reperi nga Shqipëria, Gerald Xhari, i njohur si Big Basta, i cili gëzon një popullaritet shumë të madh si në Shqipëri e po ashtu edhe në Kosovë, ka rrëfyer për Kosovapress, shumë gjëra nga jeta e tij.

Ai ka pranuar se është në ndërtimit e radios së parë hip hop në Shqipëri si dhe nga të parat cilësore në Ballkan.

Kosovapress: Çfarë rëndësie ka hip-hopi për ju?

Big Basta: Ka rrënjë të thella që në fëmijërinë time, në atë fëmijëri ku ambienti i të mësuarit, dhe i të kuptuarit të botës përreth ishte krejtësisht ndryshe nga gjenerata ime jashtë kufijve.

Hip hopi ishte kultura që më tërhoqi e më bëri për vete që në momentin kur babai më bleu një kasetë (me dëshirën time) të Shaka Demus, por ajo ishte veç fillimi. Fillova të kërkoja kaseta që kishin këngë me recitim ritmik Brenda (Rap) sepse më vinte shumë e rregullt ajo zhurma që përcillte. Ndërkohe, shumica në Shqipëri u orientuan tek rock, hard rock, heavy metal, popullore, dhe tepër pak në hip hop kulturë. Këtu nisi rruga ime si fillim për ta bërë të njohur këtë kulturë dhe më pas për ta praktikuar si rapper e me vonë si producent.

Pra kam një marrëdhënie më të vjetër se sa me shoqërinë e ngushtë, kam një marrëdhënie shumë vjeçare dhe ka hyrë jo vetëm në zemër, por në mendje.



Kosovapress: Hip-Hopi në Shqipëri dhe Kosovë, si vlerësohet?

Big Basta: Nuk di të ketë një indikues të saktë të të vlerësuarit të hip hopit. Di vetem se është krijuar identiteti i Shqiphop dhe për këtë më vjen mjaft mirë, sepse janë hapat e para të një shpërthimi të madh. Shumë shpejt do shihni që artistë të huaj do i ofrohen vetë raperave shqipfolës. Ishte vullnet i përbashkët,që ndoshta, veçmas çdo rap artist në Shqiptari e ka pasur si qëllim, prandaj gjithmonë kam thënë dhe them se jemi 1, s’ka lidhje dialekti aspak, sepse ka lidhje fjale dhe teksti, ajo çka duam të përcjellim tek njerëzit.

Kosovapress: Bashkëpunimi më i mirë deri më tani?

Big Basta: Kam pasur mjaft bashkëpunime të mira gjatë karrierës sime dhe s’dua të veçoj një, por disa, duke filluar që nga "Një hap përpara" me Burn, "Coko & Cacao" me Eranda Libohoven, "Boom" me Vesen, "Start" me Lyrical Son dhe Samanten, etj etj

Kosovapress: Si qëndron bashkëpunimi në mes të kolegëve?

Big Basta: Pozicioni që kam në muzikë më detyron dhe më jep liri të kem marrëdhënie të mira me kolegët e tjerë, siç e thashë, të gjithë kemi një qëllim, kështu që është normale të jenë marrëdhënie pozitive. Kjo jep hapësira të bashkëpunosh me të gjithë, sepse secili ka ide dhe veçanti që nuk duhen anashkaluar dhe gjithmonë dalin të frytshme si bashkëpunime.



Big Basta: Sa jeni të kënaqur me vetën?

Kosovapress: Përderisa gëzoj shëndet të plotë, do vazhdoj të bëj përpara duke qenë i pakënaqur me veten.

Kosovapress: Vështirësia më e madhe gjatë jetës suaj?

Big Basta: Se di, të them të drejtën, nëna ime më ka thënë se më ka lindur me vështirësi dhe, besoj, edhe unë e kam pasur njëjtë. Deri me tani, s’di të kem pasur vështirësi tjera, sepse të gjitha kanë kaluar.

Kosovapress: Kush është Big Basta jashtë botës së muzikës?

Big Basta: Jashtë dhe në boten e muzikës, jam po Big Basta. U bë që nga 2003 që dal në skenë, që në Top Fest 1 dhe që atëherë, s’jam shkëputur më, kështu që jam 24 orë në botën e muzikës.

Kosovapress: Njerëzit më të dashur në jetën tuaj?

Big Basta: Padyshim familja ime qe jam lindur e rritur si edhe familja që po jetoj, pra Vesa. Mbesa ime Emelin është gjithashtu mrekullia më e bukur për mua. Jam me fat qe po jetoj me këta njerëz special rreth meje.



Kosovapress: Dashuria juaj me Vesën, përshkruaje me një fjalë?

Big Basta: Speciale

Kosovapress: Është e vështir që të njëjtën kohë të jeni reper, tekstshkrues, producent, apo kjo ua lehtëson punën?

Big Basta: Është kthyer në një domosdoshmëri, jam vetvetja tek të gjitha këto. Më pëlqen të bëj atë që dua.

Kosovapress: Cilën e konsideroni si këngën më të suksesshme në karrierën tënde ?

Big Basta: "Një hap përpara" me grupin Burn.

Kosovapress: Eksperienca juaj në Dancing With the Stars?

Big Basta: E pakrahasueshme! Çuditërisht më bëri për vete dhe kur u largova me mungonte shumë. U kthye në stil jetese për gati 5 muaj. Kam bërë çmos qe të mos ngjaj keq, ama s’jam pishman qe kam kërcyer shumëllojshmëri stilesh :)))



Kosovapress: A jeni duke punuar në ndonjë projekt ?

Big Basta: Tani që po flasim, po punohet për të ndërtuar radion e parë hip hop në Shqipëri si edhe nga të parat cilësore në Ballkan, MCN Radio me kompaninë prestigjioze të IPTV, MCN. Gjithashtu edhe po punohet ne studion time 042ZONE për shume projekte me këngëtarë të ndryshëm, si edhe për vete, tani do merrem me disa klipe për këngë të reja, sepse kam pak kohë që nuk jam në treg me këngë të mijat. Top Fest, është plani tjetër,dhe ky tepër i rëndësishëm. Po marr pjesë me këngën "Fame" në bashkëpunim me Angelo, këngëtar që është pjesë e 042ZONE dhe po e punojmë albumin e parë solo. Në këtë festival pres shume dhe uroj që të më realizohet dëshira që kam.

Kosovapress: Si është një ditë e zakonshme për Big Bastën?

Big Basta: Një ditë e zakonshme për një njeri të zakonshëm. Puna dhe relaksi po gërshetohen mjaft mirë në ditën time, e quaj parajsën time.

Kosovapress: Diçka për lexuesit e Kosovapress?

Big Basta: Falënderime të përzemërta për suportin e madh që më japin. Sidomos kam një falënderim për lexuesit e Kosovës dhe ju them se, pa mbështetjen dhe pozitivitetin e tyre, s’do arrija kaq shumë. Ju uroj pranverë sa më të lumtur.
(Kosovapress)

Big Basta: “Po Vjen Radio E Parë Hip-Hop”