>
BIOSHQIP

Burbuqe Rada, Këngëtarja E Festivaleve Në Postën Shqiptare

26-02-2012
Sportiviteti i Burbuqe Radës të bënte të mendoje se kishte ardhur vrapimthi për këtë intervistë, duke u shkëputur për pak nga provat e ndonjë koncerti a festivali. Në fakt, kjo situatë mund të ndodhte vetëm 20 vite të shkuara, kur ajo vërtet ishte gjithandej e ftuar nëpër aktivitete muzikore a koncerte të kohës. Sot kthehej thjesht nga puna e përditshme që ka nisur që prej një viti e që nuk ka asnjë lidhje me pasionin e profesionin e saj të dikurshëm, këngën. Punon në Postën Shqiptare, duke siguruar kështu të ardhura të përmuajshme për familjen. Ende vazhdon të shfaqet në ndonjë lokal nate, ku e ftojnë për raste festash, por këtë mund ta bëjë rrallë, për shkak të zgjimit të herët që i imponon puna aktuale. Megjithatë, edhe pse jo të shpeshta, këto koncerte shërbejnë për t'i mbajtur zërin në formë, e për të mos i shuar krejt emocionin që i jep të kënduarit, sado që ajo ndihet e fuqishme për të qenë aktive shumë më tepër se kaq. Ashtu si dikur, nëpër koncertet e majit a festivalet e fundvitit, ku ndodhte rrallë të këndonte më pak se dy këngë. Për nostalgjikët, emri e zëri i Radës është më shumë se familjar. Për dhjetë vite me radhë, trokitja e gotave në tryezat familjare gjatë ndërrimviteve bëhej pikërisht nën tingujt e zërit të saj me këngën "Ngremë dollinë". Ishte kthyer në një traditë kjo që zgjati deri në fund të viteve '90. Deri atëherë kur u shemb krejt e shkuara e u përmbysën të gjitha zakonet, duke u zëvendësuar komercialisht me të reja. Për emrin e saj kemi dëgjuar rrallë ose fare pas këtij ndryshimi. Nevoja desh që të udhëtonte jashtë Shqipërisë, sikundër shumë kolegë të saj. Prej tri vitesh, Burbuqja është rikthyer në vendin e saj, por ende jo në skenën e munguar, sado që energjia e zëri janë po ato të dikurshmet.
Për gati 20 vite nuk ju është dëgjuar më emri në skenën shqiptare, ku keni qenë?

Burbuqe Rada gjatë një udhëtimi
Si një pjesë e mirë e kolegëve, edhe unë u largova menjëherë pas '90-s. Dolëm jashtë, nëpër vende të ndryshme të botës, me grupe muzikore, për të siguruar kështu të ardhurat, që në atë kohë ndryshimesh rrënjësore nuk kishin shpresa të vinin në mënyra të tjera.
Pra, gjithsesi nuk i jeni larguar muzikës në gjithë këto vite?
Jo, vetëm me të jam marrë, duke dhënë koncerte aty ku na ftonin. Zgjati kështu për shumë vite, derisa vendosa të kthehem përfundimisht.
Pse ky vendim?
Për shkak të rrethanave familjare. Tim bir e kisha lënë në Shqipëri me prindërit dhe vija e takoja vetëm në sezonet e pushimit, kur nuk kishim ngarkesa, por erdhi koha që kishte nevojë për praninë time të përhershme, jo më me shkëputje. Pastaj edhe vitet kishin ikur ca, nuk mund të vazhdoja me ato ritme.
U rikthyet për të bërë çfarë? Ju priste ndonjë projekt?
Jo, asgjë konkrete nuk kisha, përveç disa ftesave të herëpashershme për të kënduar në raste festash, siç ndodh edhe tani. Për një kohë të gjatë ndenja pa u marrë me asgjë, edhe pse mundësitë fizike nuk më mungonin, përkundrazi.
Në telefon më thatë se mund të takoheshim kur të linit punën. Për çfarë bëhet fjalë?
Me diçka duhet të merresha për arsye financiare, por edhe sepse nuk mund të rrija pa bërë asgjë. Kështu tentova të gjej diçka, pavarësisht se nuk ka lidhje me profesionin tim. Falë njohjeve, e konkretisht një njohjeje të vjetër me një zonjë të nderuar, që unë e konsideroj si mbretëreshë, arrita të gjej këtë punë në Postën Shqiptare. Ndihem mirë, i jam përkushtuar punës, edhe pse dua shumë që të mos i humbas krejt edhe raportet me skenën. Por kjo domosdo që kërkon të ardhura, për shembull për realizimin e një kënge a albumi. Të gjithë e dimë si funksionon tashmë kjo gjë, është kthyer në biznes.
Edhe dikur nuk ishte e lehtë. Atëherë kishte pengesa të tjetër lloji. Si u bëtë ju pjesë e koncerteve që në ato vite ishin më të rëndësishmet në vend?

Burbuqe Rada dhe Pranvera Myftari në koncertet e Majit 1984
Së pari duhet të them që me muzikë jam marrë që në moshë të vogël. Prindërit e mi e pikasën këtë talent timin dhe më inkurajonin gjithnjë, duke më bërë pjesë aktive të koreve të shkollës. Pastaj zëri ia del vetë mbanë të të nxjerrë në dritë. Të parat kanë qenë koncertet fëminore, derisa erdhi koha e Liceut, ku studiova për teori muzike. Në këtë kohë, aktivitetet u shtuan, nisën angazhimet me Ansamblin e Autotraktorëve, Estradën e Poligrafikut, ku punoja edhe në librarinë speciale, e me radhë. U erdhi koha koncerteve të majit, festivaleve të fundvitit, anketat muzikore.
Kur ka qenë pjesëmarrja e parë në Festival, meqenëse ai konsiderohej edhe më i rëndësishmi?
Ka qenë viti '81, kur Tish Daija më kishte piketuar për të më besuar një këngë tijën. E gjithë kjo për mua ishte një ëndërr, ishte si të jetoja në një realitet tjetër pas këtij lajmi, krejt e pabesueshme. Ende emocionohem kur e kujtoj. Vërtet që po të mos kish qenë për të, ndoshta nuk do të kisha pasur ngritjen që pësova ato vite. Kënga që këndova ka qenë "Ngremë dollinë". Qysh atë vit që e këndova e deri në '90-n, e këndoja në çdo koncert të ndërrimit të viteve. Për 6-7 vite kam kënduar këngë të Tishit, por edhe të Agron Xhungës, Gjergj Lekës, Aleksandër Lalos, Agim Krajkës.
Me gjithë kulmin e karrierës në '81-'90, keni marrë gjithnjë çmime të dyta?
Po, në festivale po, ndërsa në koncertet e majit edhe çmim të parë.
Me gjithë suksesin, keni pasur edhe vështirësi, siç ndodhte rëndom ato vite. Tendenca për t'ju përjashtuar…
Po, ka ndodhur më shumë se një herë. Ka ndodhur një herë në koncertet e majit, ku 'akuzohesha' për sjellje të huaja, edhe pse spektatori më ktheu tri herë në skenë. Pas mbledhjes, Komiteti i Partisë mendoi të më hiqte, por ka qenë ndërhyrja e Vera Grabockës që më bëri të qëndroj ende në skenë. Ajo ka qenë shpëtimi im i asaj kohe. Ndryshe do kisha përfunduar ndoshta si Alida Hisku që e larguan njëherë e mirë, madje edhe duke u ndëshkuar. E njëjta situatë ndodhi edhe në festival, ku unë këndoja dy këngë, një të A. Lalos dhe një të Tishit. U bë sërish mbledhje për të njëjtat arsye, pra mënyrat e mia të të kënduarit. Lalo u tërhoq, duke e hequr këngën, sepse më tha që nuk donte të përfundonte në Kukës për këtë arsye. Ndërsa Tishi e pat argumentuar se ky ishte stili im i të kënduarit, që nuk kishte të bënte me asnjë sjellje të huaj. Kështu shpëtova edhe këtë herë.
Të gjitha këto situata të pengonin, tek e fundit ju sapo ishit bërë pjesë e aktiviteteve të mëdha, ishit fare e re, përjetimet e brendshme kanë ndikimet e tyre…
Ndikonin pa dyshim, por me ndihmat që pata u kapërcyen. Unë isha vërtet e re, por përveç kësaj isha edhe tip i ndrojtur. Kam luftuar shumë me veten në ato fillime për të mposhtur emocionet. Bëja prova e vetme në dhomë, pastaj përpara prindërve që kanë qenë gjithashtu ndihmesë e madhe. Kujtoj një episod kur isha përpara një koncerti ku ishte edhe E. Hoxha. Duke u dridhur, i kërkoj Vaçe Zelës përpara se të dilja në skenë, në mund të më mbante shaminë, ku kisha edhe 3-lëkëshin. Kujtoj që pata inkurajimin e saj, megjithatë kisha edhe një favor tjetër. Kam mbajtur syze në atë kohë dhe nuk kisha shikim të mirë në distanca të largëta, kështu që emocionet përgjysmoheshin.
A ishin të njëjtat përjetime kur u larguat jashtë Shqipërisë, të njëjtat emocione në skenë e kam fjalën?
Jo, sepse atje nuk të shihte kush si artist i mirëfilltë. Ishim thjesht një grup muzikor që shërbenim për t'i dëfryer, por nuk mund të kishe kurrë të njëjtat ndjesi. Pikërisht kjo më ka munguar gjithnjë në këto vite e që shpresoj shumë ta ripërjetoj sërish.
(ANI JAUPAJ)

Burbuqe Rada, Këngëtarja E Festivaleve Në Postën Shqiptare