>
BIOSHQIP

Dafina Rexhepi: Jam Këngëtare Me Karakter Të Veçantë

18-02-2013
Nuk i mungon guximi, as ambicia dhe as bukuria. Shumëkush do t’i përdorte këto si armë për të arritur gjithçka në karrierë, ndërsa Dafina Rexhepi i është dhënë fort këngës për të arritur aty ku do. Lidhjen me skenën e ka të fortë, pasi emocionet i ka larguar që nga fëmijëria. Si një zotëruese e mirë e skenës, ajo ia di hilet, di se si të injektojë tek publiku adrenalinë dhe gjithmonë e ka realizuar. Sharmi, linjat e trupit i kanë ngjitur epitetin ‘seksi’, por në ndryshim nga shumë këngëtare të tjera, s’është pikërisht ky çelësi i suksesit të Dafinës. Dafina, fituat famë me hitin “Delicious” në bashkëpunim me reperin Mc Kresha. Brenda pak kohësh, jeni shndërruar në ikonat e reja të muzikës moderne shqiptare; çfarë keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe? Kam punuar shumë në këngët e mia, jam munduar që me shumë angazhime e punë të palodhshme të jem këtu ku jam sot. Zëri apo emocioni që përcjell, është më i rëndësishëm për t’i dhënë maksimumin një kënge? Unë nuk do t’i ndaja. Mendoj që të dyja, në një përputhshmëri japin cilësinë e këngës, e cila bëhet hit. Dafina, që të bësh art sot, e ke ndjerë se duhet edhe një dorë e mirë parash? Po, në çdo profesion që ka të bëjë me muzikën, aktrimin, artin në përgjithësi, duhet të shpenzohet mjaft, por edhe punë të palodhshme, por duhet të kesh edhe një plan se si t’i fitosh ato. Mendon se një këngëtare duhet të jetë patjetër sensuale në skenë? Në radhë të parë, një këngëtare duhet të ketë patjetër stil dhe vokal të mirë. Një këngëtare mendoj që duhet të jetë e thjeshtë në komunikim me fansat, por patjetër e përgatitur, që të dallohet në skenë nga të tjerët, pasi këngëtarja është epiqendër.



Si ndihesh kur këndon; euforike, apo je më shumë në ankth? Është një ndërthurje emocionesh që më elektrizon. Ndihem tepër mirë, pasi qysh fëmijë, gjithmonë kam kënduar, në shtëpi, në teatër, në shkollë vallëzimi, në orët e këndimit... Po si këngëtare, si do ta përcaktoje veten? Këngëtare me karakter të veçantë, si në veshje, punë apo në sjellje.



Po përveç muzikës së zhanrit tënd, ç’lloj muzike të pëlqen tjetër? Kam kënduar vetë musical dhe soul apo jazz, që i pëlqej shumë, por dëgjoj edhe balada, Hip-hop. Në skenë anoni më shumë nga ekstravaganca. Mendoni se ky është dhe karremi juaj me të cilin tërhiqni më shumë fansat? Po, gjithmonë dua të dukem ekstravagante, por jo të zhvishem pa nevojë dhe besoj që kjo ka ndikuar që fansat të jenë të kënaqur me mua. Sa e aftë është Dafina për të përballuar sfidat? Kam përkrahje shumë nga familja dhe njerëzit përreth, që më bëjnë të ndihem mirë, dhe i përballoj të gjitha pa ndonjë problem. Artistët dhe superstarët e botës shpeshherë elektrizojnë publikun duke u zhveshur në skenë. Ju, mendoni për surpriza të tilla? Po, secili artist ka mënyrat e veta. Unë mendoj se për tregun kosovar nuk arsyetohet zhveshja, pasi nuk e kam moshën, as karakterin për të tilla gjëra. Unë vlerësoj më shumë vokalin dhe performancën e mirë me vallëzime sesa zhveshjet dhe provokimet në skenë. Ndërkohë, ti komentohesh si një vajzë e bukur dhe me sharm në skenë. Një vajzë e bukur, duhet të ndihet me fat apo jo në ditët e sotme? Bukuria është një plus në çdo kohë, por e përkohshme dhe jo më e rëndësishme dhe e mbivlerësuar sesa një zë i bukur. A ka trokitur ndokush në portën e zemrës suaj? (Qesh) U mbyll porta. Ç’është dashuria për Dafinën? Dashuria për mua është fjalë shumë e madhe, pasi jam një person me një zemër të madhe dhe gjithmonë i dua njerëzit që më ndihmojnë dhe janë pranë meje. Mendoni se ekziston dashuria e përjetshme? Po, besoj se po.



Ka përparësi zemra apo mendja në vendimet e tua? Në profesionin tim duhet të mendosh shumë para se të veprosh, kështu që vendimet i marr sipas mendjes, kurse në jetën private ka përparësi zemra. I beson intuitës? Po. Po miqve? U besoj miqve të ngushtë me të cilët jam rritur, kurse tek të tjerët nuk kam edhe aq besim. Çfarë pëlqejnë miqtë e tu tek ti? Personalitetin, besnikërinë, jam gjithmonë ‘happy’, shumë e lirë, e thjeshtë... Çfarë vendesh frekuenton më shpesh? Vendet e qeta, me muzikë të lehtë dhe ushqim të mirë.
(Bluetooth)

Dafina Rexhepi: Jam Këngëtare Me Karakter Të Veçantë