>
BIOSHQIP

Devis Xherahu: “Pëlqej Që Të Huajt Të Këndojnë Shqip”

22-03-2016
Qysh si fëmijë këndonte këngë të qytetit të lindjes, meqenëse gjyshin Vaskë Xherahun, e kishte themeluesin e korit "Lira" të Korçës. Ajo që e dallon Devisin nga bashkëkohanikët e tij, por edhe kolegët e skenës, është qëndresa ndaj origjinalitetit. Për të folur rreth jetës së tij, por edhe për karrierën disavjeçare artistike, ju japim intervistën e realizuar me ëmbëlsi...

Teksteshqip: Ç’përshtypje ruani nga fëmijëria juaj?

Devis Xherahu: Fëmijëria ime ka qenë nga më të bukurat, ndaj dhe ruaj kujtimet më të mira të kësaj fëmijërie, saqë shpeshë postoj fotot e kësaj fëmijërie në rrjetet sociale. Shpesh kam të domosdoshme të kthej kokën prapa!

Teksteshqip: Kush ka qenë përkrahësi më i madh gjatë fillimeve të karrierës?

Devis Xherahu: Kuptohet, përkrahësit e mi më të afërt kanë qenë prindërit e mi, familja dhe publiku i qytetit tim, Korçës.



Teksteshqip: Përzgjedhjen e zhanrit e bëtë vetë, apo ju orientoi dikush?

Devis Xherahu: Shkolla dhe muzika që akumulova gjatë fillimeve dhe vazhdimeve të mija, në dëgjimet e mija, luajtën rol vendimtar në përcaktimin e rrymës që përzgjodha në karrierën time.

Teksteshqip: Çka ka të veçantë muzika e jugut që e këndoni me shumë përkushtim?

Devis Xherahu: Unë këndoj këngë nga të gjitha zonat shqiptare, por pozita gjeografike ku unë linda dhe u rrita, si jug-lindje, pra Korça, padyshim është orientimi im më origjinal në interpretimin e muzikës së jugut, që gjithmonë starton në serenatën korçare. Është ky një zhanër i trashëguar familjar e qytetar.

Teksteshqip: Me cilët bashkëpunëtorë e ndani suksesin?

Devis Xherahu: Në sukseset e mija në Shqipëri, një vend të rëndësishëm zë miku im, mbështetësi dhe orientuesi në karrierën time, tekstshkruesi që pothuajse gjysma e repertorit shqiptar mban emrin e tij, Jorgo Papingji. Gjithashtu, miku im, kitaristi Gent Myftaraj.



Teksteshqip: Na thoni diçka për bashkëpunimet me këngëtarët e huaj, të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku ynë?

Devis Xherahu: Po, ata dy janë: Lefteris Pantazis, këngëtar grek shumë i njohur dhe këngëtari italian, Andrea del Principe. Gjithmonë dëshira ime ka qenë dhe është që këngëtarët e huaj të këndojnë shqip, dhe kur mua m'u dha rasti të komunikoj me të dy, ata pranuan me shumë dëshirë këtë bashkëpunim. Publiku i priti mjaft mirë këto bashkëpunime!

Teksteshqip: Cila është cilësia që ju pëlqen më shumë tek njerëzit?

Devis Xherahu: Cilësia që më pëlqen më shumë tek njerëzit, është çiltërsia!

Teksteshqip: Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Devis Xherahu: Dita fillon me një vrap nga liqeni, më pas kafe me miqtë dhe mjaft kohë duke dëgjuar muzikë e duke kërkuar shumë nga vetja, përsa i përket repertorit tim që gjithmonë pasurohet. Nga mbrëmja dal xhiro me makinë e çlodhem duke shijuar bukuritë e qytetit tim!



Teksteshqip: Keni qenë në lloj – lloj manifestimesh e ambientesh. Nga cila prej tyre ruani kujtimet më të bukura?

Devis Xherahu: Të gjithë festat kanë kujtimet e veta dhe nuk mund t'i ndaj dot dhe të veçoj vetëm një. Janë mjaft të bukura të gjitha.

Teksteshqip: Po të mos ju kishte vazhduar karriera normalisht, ku do ju gjenim sot?

Devis Xherahu: Këtë pyetje nuk ja kam bërë kurrë vetes dhe më zure pak ngushtë, por duke njohur veten, ndoshta nëse nuk do këndoja, do isha një zhbirues i mirë i natyrës, duke realizuar dokumentare per florën dhe faunën e natyrës.

Teksteshqip: Me ç'projekt do i befasoni fansat në të ardhmen e afërt?

Devis Xherahu: Projekti im i afërt do jetë kënga e titulluar "Paska qenë e shkruar", të cilës para ca ditësh i përfundova dhe xhirimet e klipit. Besoj që pas disa ditësh do të transmetohet nëpër media.

Teksteshqip: Ne ju falenderojmë Devis për kohën që ndatë, ju urojmë shëndet e sa më shumë arritje!

Devis Xherahu: Uroj energji pozitive dhe fat për gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërie. Faleminderit dhe juve!
(Arsim Kolari - teksteshqip.com)

Devis Xherahu: “Pëlqej Që Të Huajt Të Këndojnë Shqip”