>
LETERSISHQIP

Ëndërra Të Kaltra

Nuk më kërkove falje, që ta jepja,
për gjakun e derdhur, asnjëherë,
gardhin ndarës, mund ta shqepja,
mund të kapërdija poshtë atë vrer.

S’tregove pendim për krimet e tua,
për genocidin që ushtrove me zell,
për shpresën e njeriut që u shua,
të vërtetën që akoma s’sheh diell.

S’mu ule në gjunjë të më jepje hakë,
me eshtrat e tim gjyshi mbi supe,
varret e paditur, që përtyp në bark,
bijtë e të gjitha nënave që zhduke.

Për burgjet shfarosës s’më the një fjalë,
(cfare them), heronjë u shpallën pilatët,
t’më thoje për shpirtërat që more o djall,
të rinjtë që minierave ogurzeza i plakët.

Erdhe një ditë me diell, si të ishe tjetër,
dukshëm fytyrës rrëke të kuqe gjaku,
dinakëroje fjalët si dhelpër e vjetër,
se “digjeshe” për mua, nga meraku.

I hape dyert dhe më the ik, sa më larg,
pasi cep më cep këtë vënd e djallose,
botës moderrne i kishe vënë embarg,
në fushat me bar si bagëti na kullosje.

Përpos kokëulur falje ndaj nuk kërkon.
Për ç’falje me djajt mund të flasësh!?
Në të njëjtën rrugë edhe sot vazhdon,
mënyra të tjera trillon të më “vrasësh”

Rininë time të djegur si të ‘ta bëj hallall,
hijet e të kaluarës që më ndjekin nga pas,
sot, për prehrin e nënës, ç’ta bëj këtë mall,
ëndrrat e kaltra që lind, një nga një t’i vras!?

Jo, s’kam për ta dhënë kurrë kënaqësinë
që ëndrrat e mia t’i përdhosësh, si dikur,
do të lind e do të rris sa më shumë
t’i bëj pa fund, fusha verdhoshe me grurë.