>
LETERSISHQIP

Më Lënë E Më Marrin Tërë Jetën

Më lënë një be për tokë e qiell
Që vran e kthjell

E m’i marrin sytë para se të zbresin në atë gropë
Për t’u dhanë dritë yje për t’i bërë

E m’i lënë porositë e nënës për një palë këpucë
Që nuk rrëshqasin në borë
Për një shall me vija të kuqe
Për ta vënë rreth qafe kur fërfëllazë bëhet ndër male

E ma marrin shpirtin për t’i dhënë hapësirë të blertë
Gaz mëngjesor që pikon nga lulet

E m’i lënë të gjitha frytet e tokës dhe fjalës
Që lidhin e zgjidhin veten kur e do puna
E m’i marrin të gjitha përmendoret e shesheve
Për t’i kënduar dimrave të gjatë
Se kënga do prush do zemër do shpirt

E m’i lënë krahët e shkëmbinjëve të lartë
Kur dragonjtë me kucedra gjuhen si në përrallë
Kur vetëtimat emërojnë njëra-tjetrën
E pastaj nënshkruajnë paqe

E m’i marrin vitrinat e veshëmbathjeve
Depot e miellit fabrikat që prodhojnë traktorë
Lugë pjata kripë

E m’i lënë blegërimat e deleve
Që mes gishtrinjve sjellin gjethin e tharë
E m’i marrin rrugët e asfaltuara para dere
Urat e larta prej cimentos dhe hekurit

E m’i lënë ciftelitë e fyejt për t’i rreshkë Bjeshkët e Nemuna
Me plisa bore edhe në vapën e korrikut

E m’i marrin hipsetëvravat e zbritsetëvravat e jetës

E m’i lënë duart rreth qafe dhe një shuplakë pranverë
për t’m’u gjetur në ditën e vështira

E ma marrin frikën mbi kasafortën e botës nga atomi

E m’i lënë besimet e tyre që s’lëkunden

E m’i marrin të gjitha librat për ta gjetur veten e tyre

Duke u ngjitur kah e nesërmja e pathyeshme
Në atë prehër të madh të Diellit
Që na ruan nga vdekjet
E më marrin
E më lënë
Ditëve të tregut fshatarët
Tërë jetën…