>
LETERSISHQIP

Dhimbja Më E Madhe Nuk Është Fizike

Sonte yje ka mbi qiellin kaltëruar, hënë e plotë dhe dritë duket nata,
rri ngjeshur dhe mendoj për ty, heshtur dhe menduar aq fort, sa duket sikur jam mpirë dhe kthyer në statujë,
vështroj mbi veten atë copë kaltërsie, atë dëlirësi, madhështi e bukurisë, e kozmosin shoh,
që kaq shumë e doje ti, që më së shumtën ishe në Mars a Jupiter, vetëm në Tokë jo nuk ishe.

Dalëngadalë po tretesha vetë, dhe tretej portreti yt, sa një qiell i madh, buzëqeshja e ngrirë në sfond,
tërhiqesha në harresë, errësirë, e trupi, mendja niste të harrojë, ata sy, ata flokë, atë qenie, gjithçka tënden,
veten pyesja tek ndjeja kaq shumë, tek trupi copëtohej shpirtërisht e bëj copë e çikë,si ka mundësi,
dhimbjet më të mëdha në këtë botë, jo, nuk janë fizike.