>
LETERSISHQIP

Në Vendin E Krimit

Në periferi të Shkodrës, diku rreth katedralesh e kryqesh të thyera, një prift na shpjegon me mirësjellje,
tragjedinë e madhe të ndodhur në kryeqendrën e Veriut, në kohën e furtunës së madhe, kur ndërroheshin botët, më 1945,
na dëfton vendin, e krimit të madh komunist, edhe një pemë, ku varur e kishin njërin, si tradhtar i kombit, thoshin komunistët,
e ai vend ishte varre, truall i nxirë dhe gjak nënash i nxehtë sikur kishte hyrë thellë në trup të tokës, deri në thonjtë e saj. Varre dhe trishtim ai vend, ku ironikisht mbi të zezën, pallate të kohës së zezë ishin përkrah.

Vendi i krimit ishte aty, ku kishte pashpirtshmërisht ekzekutime, kurse dënime të rënda ishin kryer në burgun famëkeq, me frëngji të vogla,
një boçe e vogël në tastierën e prishur prej kohësh, në dhomën e hetuesisë, ndoshta aty shkruhej prej priftërinjve të burgosur, një vend që ishte bërë sikur të kishte të burgosur ordinerë, por nga se ndodheshin aty, ngjante si agorë, e mbi të të shkruante Sokrati,
e në ikjen tonë, pas ferrit komunist, me tela dhe gjemba shoqëruar kudo, me ajër pak dhe cicërima zogjsh që zërin donin t’ua presin,
një djalë i vogël në hyrje, trashëgimtar i mundshëm, me sytë si xixa, që dëshmonin një pafajësi të një gjaku të ri, që pas ka lënë kalljen padrejtësisht të bistakut të vet, në të shkuarën e errët të Shkodrës hijerëndë.