>
LETERSISHQIP

Shesh-Pushimi

Në udhë për në atdheun e Homerit, të Akilit gjithashtu, pa mbërritur ende në zemër të tij, ndodhej shesh-pushimi,
pasi ke kaluar Gjirokastrën dhe thembrat e qyteteve jugore të Shqipërisë, gjendesh atje, në kufirin e largët disi, që emrin e ka të habitshëm, Qafë Botë,
në hyrje të kufirit pritet dhe në atë pritje prej dy apo tri orësh shfaqet një botë e tërë në pak metër katror vend, si të thuash çdo gjë që ndodh rreth njerëzimit, ka mundësi e sheh dendur në atë vend.

Po aty niste kuptimi i botës në pak metra vend, teksa sheh se një pjesë kanë shumë para dhe hanë McDonald’s, apo tjetër soj në lokale të shtrenjta,
një pjesë tjetër që janë romë më së shumti mbajnë paratë që njeriu të bëjë nevojat më imediate dhe ata i mbajnë në një kanaçe të bërë ashtu krejt rastësisht, ç’mënyrë për të fituar para!
kurse ka edhe sport, edhe erë e ftohtë dhe shtazarake që fishkëllen në flokët e bardhë të një plaku, që ishte bërë ashtu plakur e mekur,
sa duket nga mërgimi i gjatë, njësoj si bora e bardhë në veriun e vendit kur mbulon mbi dy metra edhe derën e shtëpisë, e për ta hequr duhet kazmë, sikundër edhe lopatë, me kapotë ta heqësh.

Është freskët sonte, shqiptarë ka edhe grekë gjithashtu, si pikëbashkim kombesh në kufirin që i ndan,
se njeriu bën vaki ndryshon nga talenti, nga pamja fizike, nga kombësia apo gjuha, por që të gjithë, edhe ata me ngjyrë e pa ngjyrë, njësoj janë thuajse, me keqësi ndryshe, vetëkuptohet kjo,
ndërsa ulur duke pirë diçka mundeshe të shihje edhe një ndeshje, Milanin fantastik atë ditë, që mendohej nga tifozët e vet se më në fund milanezët po ringrihen në triumf,
por edhe kur këtë gjë po e bëjnë tani në fillim të kampionatit, fitojnë me Veronën dhe Sasuolën, ç’dramë e madhe për një ekip legjendar.
E nëse do të futesh në lëkurën e secilit, zbulon se dilema dhe rrokje mendimi kanë ata, aq shumë sa nuk flasin, por veprojnë,
në kohën e çmendur që vrapon njësoj si këtu si në Amerikë dhe njeriu lëviz e çmenduri e nartyrshmëri ka përditë, në ditësinë e natës dhe natën e ditë,
lëkura e tyre është tulla që hedhin në një pallat në Rodos, në një mermer në Kretë dhe një punë e rëndë në Athinë,
kurse fytyra ka marrë pamjen e trishtimit dhe të punës së rëndomtë, kaq të trishtë shpesh herë, njësoj si puna që bëjnë, se njeriu bëhet ashtu çfarë bën.

Kur qëndron në mes të dy kombeve, që kanë lashtësinë më të madhe të Ballkanit, mundesh që të mendosh racionalisht,
një tokë me errësirë ngjan dhe e ndjen thellë aromën e tokës dhe të detit, të detit dhe të tokës, jetës dhe vdekjes, të mirës dhe të keqes, që të dyja janë në të dyja shtetet,
andej matanë lamë pas qytetet shqiptare, gurët e Gjirokastrës dhe kalanë e Ali Pashës, valët e Sarandës ngjasojnë shumë me ujët e ishujve grekë,
kurse duke menduar këto, duhet të paguash, në euro sigurisht, ndoshta më e drejta mes dy kombesh që të përbashkët kanë kontinentin europian.

E duke lodruar pak, por edhe duke menduar, në atë errësirë erëmirë që të shkund flokët e dendur apo fytyrën ta shtrembëronte,
për karshi shihje fshatin e parë, grek ishte ky, si pika e parë që dëfton se ke hyrë në tjetër shtet, tjetër komb, tjetër vend,
toka e zjarrtë sikur zien, sikur lëviz një tërmet me flakë dhe me zjarr tamam ashtu ngjan, me sytë e turbullt dhe erën e shkundur,
në malin për karshi, në fshatin grek, të duket se pe një hije të madhe, fantazma e parë, perëndia e parë në vendin helen.