>
BIOSHQIP

Diellza Kolgeci Tërhiqet Nga Prezantimi I Festivalit

17-12-2013
Diellza Kolgeci tërhiqet nga prezantuese e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Kur s’kanë mbetur veçse 10 ditë nga fillimi i edicionit të 52-të të festivalit të fundvitit, mësohet se dyshja e prezantuesve të këtij viti ka pësuar një “çarje”. Modelja kosovare, Diellza Kolgeci, e përzgjedhur për të drejtuar në krah të gazetarit Enkel Demi, i cili ngjitet për të dytën herë në skenën e këtij festivali, mësohet të jetë tërhequr për shkak të një përplasjeje me drejtorin e Festivalit, Martin Leka.



Kolgeci ka pretenduar se i janë ndryshuar kushtet e kontratës, të lidhur me drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Petrit Beci, i cili për arsye shëndetësore ia ka kaluar kompetencat zv/drejtorit të përgjithshëm, Martin Leka. Sipas këtij të fundit, përplasja me prezantuesen kosovare nuk ka ardhur për shkak të pagesave, por të disa pretendimeve të saj, të cilat ai i konsideroi absurde, që lidheshin me transporte, hotele apo kurimin e imazhit të saj. Kolgeci nuk ka pranuar që për veshjet e saj të kujdesej drejtori i imazhit të festivalit, Joni Peçi. Sipas Lekës, nëse nuk do të arrihet të gjendet në kohë një zëvendësuese, atëherë gazetari Enkel Demi do të ngjitet i vetëm në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Kjo do të thotë që duhet ribërë nga e para skenari, që me shumë gjasë do të kishte pasur, ndër të tjera, edhe batuta që lidheshin me diferencën në gjatësi mes modeles dhe gazetarit. Edicioni i 52-të i Festivalit të Këngës në RTSH do të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor. Gjatë tri netëve të tij do të prezantohen 16 këngë. Për shkak të numrit të pakët, të gjitha këngët do të kalojnë në natën finale, ndërkohë që gjatë dy netëve të para, krahas 8 këngëve, në garë do të këndohen edhe 8 të tjera. Bëhet fjalë për këngë të nxjerra nga fondi i RTSH-së dhe që do të këndohen në duete me këngëtarë “Big”, si Rovena Dilo, Eranda Libohova, Elton Deda, Redon Makashi, Altin Goci etj.
(PANORAMA)

Diellza Kolgeci Tërhiqet Nga Prezantimi I Festivalit