>
BIOSHQIP

Analizat Për Dr. Florin; Kokainë Dhe Alkool

29-11-2014
Para se të ndërronte jetë, Dr. Flori kishte konsumuar kokainë dhe alkool. Kjo është një ndër përgjigjet e Mjekësisë Ligjore, në lidhje me rastin e vdekjes së këngëtarit të mirënjohur Floran Kondi, 35-vjeçarit që ndërroi jetë rreth dy javë më parë.

Në fakt, përgjigjja përfundimtare e analizave toksikologjike, pritet të dalë në ditët në vijim, por burime të rezervuara pranë morgut të Tiranës i thanë gazetës “Shqip”, se ditët e fundit, ekspertët mjekoligjorë kanë vërejtur shenja droge të llojit kokainë dhe alkool, pa përcaktuar llojin. Nga ana tjetër, paralelisht me ekspertizat për shkakun e vdekjes së 35-vjeçarit, ekspertët e policisë kanë rimarrë në pyetje bashkëshorten dhe vëllain e Dr. Florit, si dhe pastorin Fitor Muça, të cilët akuzuan mjekët për vonesë në dhënien e ndihmës mjekësore. Edhe mjekët janë rimarrë në pyetje. Këngëtari i mirënjohur shqiptar ndërroi jetë paraditen e 17 nëntorit të këtij viti. Ceremonitë u zhvilluan në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, ku miq dhe të njohur e përcollën për në banesën e fundit. Të shumtë ishin politikanët që ngushëlluan familjen për këtë humbje.

Analizat

Në pritje të rezultateve zyrtare, ekspertët mjekoligjorë, përveç analizës së ditës së parë, nga ku rezultoi se Kondi kishte konsumuar kokainë, bënë një tjetër test të ndërmjetëm, përgjigjet paraprake të të cilit flasin për konsumim droge dhe alkooli. Kështu, në fillim të javës tjetër, me daljen e përgjigjeve përfundimtare të analizave toksikologjike, pritet që t’i shtohen dosjes së Policisë së Tiranës, e cila tashmë është në fazën përmbyllëse të hetimeve, në lidhje me shkakun e vdekjes, që për momentin mbetet ai i atakut kardiak për shkak të mbidozës. Pastori Fitor Muça deklaroi se Dr. Flori prej kohësh ishte larguar nga rruga e drogës, ndërsa miku i tij i ngushtë, artisti Ermal Mamaqi, është shprehur se Flori prej një viti e gjysmë e kishte lënë drogën dhe kthimi tek ajo ishte aksidental. Në argumentimet e tyre, mjekët thanë se kthimi te droga, me të njëjtën dozë, pas lënies për një kohë qoftë edhe dyjavore, shkakton overdozën. Konsumimi i alkoolit, kur vetë bashkëshortja e raportoi si një rast të tillë, dhe përzierja me drogë, gjithashtu përbën shkak për overdozë.
(Top Channel)

Analizat Për Dr. Florin; Kokainë Dhe Alkool