>
BIOSHQIP

Fjalët E Fundit Të Florit, “Po Shoh Zotin, Po Fluturoj Tek Ai”

09-12-2014
"Po shoh Zotin, po fluturoj tek ai". Këto kanë qënë fjalët e fundit të dr Florit, ndërsa në një rrëfim të dhënë nga i vëllai citon se nëse koha do kthehej pas, do kishin ndryshuar shumë gjëra. Albani premton se do të publikojë të gjitha ato projekte të papërfunduara të Florit, pasi sipas tij, përcjellin shumë mesazhe.

Alban Kondi ka rrëfyer në Top Channel, momentet e fundit të jetës së vëllait të tij. “Ende më duket e pabesueshme, por realiteti është ky dhe duhet të përballemi edhe me këtë humbje”, ka thënë Albani.

"E nëse koha do të kthehej pas, sigurisht që do të kishin ndryshuar shumë gjëra”, shprehet Albani, i cili shton se “gjërat ndodhin për një arsye dhe një ditë do të merret shpjegimi edhe për to”.

“Kam kujtime të tij që nga fëmijëria e deri në ditët e fundit, pasi ai ishte një vëlla që falte shumë dashuri nga vetja. Këshillat e tij kanë qenë tepër të vlefshme si në aspektin personal, edhe atë artistik. Ai kuronte gjithmonë krijimtarinë time, por njëkohësisht më linte edhe shumë hapësira në krijimtarinë e vetë”, ka thënë ai. “Më kujtohet mami, që më ka thënë se vëllai me të cilin kisha 5 vjet diferencë ishte tepër i dashur dhe i kujdesshëm për mua, aspak xheloz, por me ndjesinë e prindit për mua”.

"Në art Flori nuk bënte kompromis në krijimtarinë e tij, tregon Albani, madje shpesh herë dilte edhe kundër çdo lloj parashikimi".

“Flori i thoshte gjërat ashtu siç i ndiente dhe nuk kishte për synim të ishte i famshëm. Thjesht të shprehte gjithë vizionin dhe botëkuptimin e tij, për të lënë mesazhe për brezat e rinj, si ata bashkëkohorë me të, por edhe ata që e dëgjonin. Ka qenë një frymëzim i madh për mua, por edhe për shumë njerëz të tjerë”, ka thënë më tej ai.

Sa i takon projekteve, ato të papërfunduarat janë në duart e Albanit, i cili premton se do t’i përshpejtojë sa të mundet për t’i reklamuar të gjitha. “Kujtoj se kur i thashë për herë të parë që dua të merrem me muzikë, më qeshi dhe më tha se nuk do të ndihmonte për asgjë, ose të bëhesha, ose jo. Më kontrollonte të isha gjithnjë i vërtetë me muzikën time. Një tjetër moment, ardhja në jetë e vajzës së tij Kaltrina, por edhe ai i të birit, Danielit. Ka qenë tepër i lumtur dhe i emocionuar”.

“Shpesh kam qenë kritik ndaj tij, sepse ai ishte shumë i guximshëm për punët e veta, ndërsa unë gjithmonë isha më i tërhequr. E ndaloja shpesh dhe i thoja se mos po nxitohej, por bënte sikur më dëgjonte, e nga ana tjetër vepronte siç dinte. Shumë herë ka fituar ndaj meje”.
(Top Channel)

Fjalët E Fundit Të Florit, “Po Shoh Zotin, Po Fluturoj Tek Ai”