>
BIOSHQIP
Biografia
Pas librit me poezi për të rritur, "Shpirti i arratisur" (shtëpia botuese PA, 2013), krijuesja Drita Fejza Ajazi para lexuesit po del me librin e saj më të ri, të letërsisë për fëmijë, përkatësisht me tregimin, “Melodia e Pyllit”. Në këtë krijim letrar paraqitet konflikti, për të mos thënë, lufta e përhershme ndërmjet të mirës e të keqes. Për më tepër, në këtë rrëfim shpërfaqet lufta ndërmjet të bukurës e të shëmtuarës. E bukura që jepet e personifikuar nëpërmjet bilbilit paraqitet me tërë bukurinë dhe ndikimin te të tjerët, ndërsa e shëmtuara – nëpërmjet sorrës me krejt të këqijat, komplekset dhe agresivitetin e saj.
Në tregim jepet fuqia e mbretit (Luanit), dhelpëritë e Dhelprës, urtia e Hutinit por edhe sprovat e Shqiponjës. Ajo, nga autorja, shpërfaqet me tërë krenarinë e shpendit mbretëror, me guximin, të mirën dhe gatishmërinë për sakrificë.
Po ashtu nëpërmjet personazheve (një gjahtari -Xha Sulos- dhe të të birit të tij) jepet sa pasioni për gjahun, jetën në mjedisin rural, po aq edhe vetëdija për mbrojtjen e natyrës dhe të krijesave të saj, qofshin bimore (gjelbërimi), qofshin shtazore (që ta pasurojnë jetën dhe të lihen të lira, veçmas ato që nuk i sjellin dëme njeriut).
E bukura në këtë rrëfim simbolizohet nëpërmjet këngës dhe këngëtarit, përkatësisht bilbilit. Në fakt bilbili (nënkupto: këngëtari a poeti) është ai krijues që i jep bukuri të qenmes, jetës, që e ngushëllon në situata dëshpëruese dhe që e trimëron në luftë për jetën e dinjitetshme.
Autorja nga ky rrëfim, që e përplotëson edhe me disa intertekste , nxjerr porosinë se e mira gjithmonë ngadhënjen mbi të keqen, e drejta mbi të padrejtën dhe e bukura mbi të shëmtuarën. Ato gjithmonë arrihen pas shumë përpjekjesh këmbëngulëse, me vetëdijen e lartë për dobinë e përgjithshme, pa i përjashtuar disa herë edhe flijimet.
Situatat në tregim janë të lidhura bukur dhe si i tillë ai (tregimi) mund të lexohet me ëndje nga të vegjlit, por edhe nga të rriturit.