Më mbaj mend (për 1 muaj)

Eli Fara, Çmenduria E Një Nate, Dëshirë E Të Gjithëve

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  4
[03-03-2012]
E kush nuk do ta dëshironte një mbrëmje të "çmendur" që të ngre adrenalinën?! Për një të tillë flet kënga më e re e Eli Farës. Balada "Vetëm sonte" e ka risjellë këngëtaren më sensuale se kurrë, ndërsa publiku ka pasur shumë ç'të shijojë veç muzikës kësaj radhe, sepse në përshtatje me fabulën e këngës, korçarja e bukur ka luajtur me veshjet, bizhuteritë, veprimet joshëse etj. "Mund të them se "Vetëm sonte" e kanë pëlqyer absolutisht që të gjithë, janë të kënaqur e të surprizuar që kam bërë diçka ndryshe. Sigurisht që veshja do të ishte paksa më e hapur, për t'ju përshtatur më mirë edhe fabulës së këngës", tregon këngëtarja në intervistën për "standardin". S'e ku i ka fshehur vitet, asnjë s'e di, por ka pasur nga ata skeptikë që kanë dyshuar në hiret e saj, duke spekuluar se ajo ka ndërhyrë për të përmirësuar gjoksin. "Sigurisht që në këto spekulime nuk ka asgjë të vërtetë", thotë Eli, e cila e pranon shumë modestisht komplimentin që këto kohët e fundit po i jepet aq shpesh… që ngjan me aktoren divë, italianen e bukur Monica Belluçi.
"Vetëm sonte", kënga jote më e re ka vetëm pak ditë që është lançuar. Si lindi kjo baladë?
Së bashku me kompozitorin e këngës, Adrian Hila, kishim dëshirë të realizonim diçka të re, të freskët dhe të bukur. Ai mendoi që të realizonte një këngë me një stil tjetër dhe unë kur e dëgjova muzikën, e pëlqeva shumë. Më pas u realizua edhe teksti i Pirro Cakos.
Është e vërtetë që kënga është shumë e ndryshme nga gjithçka që ke realizuar deri më tani. Si kanë qenë reagimet e para?
Mund të them se "Vetëm sonte" e kanë pëlqyer absolutisht që të gjithë, janë të kënaqur e të surprizuar që kam bërë diçka ndryshe. Kjo natyrisht që më pëlqen.
Cilat janë komentet që të kanë bërë më tepër përshtypje?
Nuk di të them ndonjë në veçanti, por sigurisht që kanë qenë komentet e njerëzve që janë mësuar të më shohin te muzika popullore.
Veç muzikës, tekstit dhe interpretimit, na ka rënë shumë në sy edhe performanca jote në këtë klip mjaft të realizuar…
Për të realizuar gjithçka sa më mirë, unë thirra edhe çiftin e njohur të balerinëve, Enada Hoxhën dhe Gerd Vason, të cilët u treguan mjaft të gatshëm, pasi jam tip që dua të marr idetë e sa më shumë personave, që të më bindin se kjo gjë më rri mirë, më shkon. E them këtë sepse gjërat nuk mund t'i bësh të gjitha mirë dhe mbi të gjitha, të gjitha vetë. Po t'u referohemi artistëve në botë, ata kanë profesorë për veshjen, muzikën, interpretimin, sepse nuk i bën njeriu vetë gjërat, me kokën e vet.
Për klipin e realizuar me "Max Production" ke punuar edhe me regjisoren Zhaku- Inida Gjata. Si ishte puna me të?
Me Zhakun nuk kisha bashkëpunuar më herët, ky me këtë klip ishte i pari. M'u duk shumë pozitive si vajzë dhe nga këshillat e saj mora ato që më përshtateshin.
Në këngën tënde flitet për "çmendurinë e një nate". Me siguri edhe në jetën tënde ka pasur momente kur ke menduar për të bërë vetë një çmenduri të tillë…
Çmenduria e një nate? E kush nuk do të donte të çmendej një natë, të gjithë prej nesh, të paktën me fjalë (Qesh). Të martuar, të pamartuar, çdo individ!
Kanë pësuar një revolucion veshjet e tua apo ke ndërruar gardërobë?
(Qesh). Në fakt, veshjet në klip janë të thjeshta, s'doja të ndërroja shumë të tilla, qëndrova te e zeza klasike, ndërsa te pjesa te klubi- të cilës ti ndoshta i referohesh, sigurisht që veshja do të ishte paksa më e hapur, për t'ju përshtatur më mirë edhe fabulës së këngës. Sa për gardërobën, të gjitha veshjet në klip janë të miat, biles atë bustin te pjesa e klubit kam vite që e kam blerë dhe e kam veshur për herë të parë për këtë këngë.
Kam lexuar komente të ndryshme në internet dhe më ka rënë në sy që disa fansa kanë shkruar që "Eli ka shpërthyer"…
Shyqyr që shpërtheva në këngë…
Të kanë thënë që ngjan pak me divën Monica Belluci, sidomos te ky klip?
Po, edhe mund të më kenë thënë, por nëse ajo është Monica Belluci, edhe unë jam Eli Fara.
Duke qenë se ke guxuar me një dekolte të thellë te ky klip, një tjetër gjë që më ka rënë përshtypje nga komentet e fansave të tu, është që disa prej tyre dyshojnë se ti ke operuar gjoksin…
Këtë e kam menduar edhe vetë, pasi kam parë kripin, sepse në raport me realitetin m'u duk vetja me përmasa më të zmadhuara se në të vërtetë, ndoshta për shkak të kamerave. Unë në jetë nuk i kam femrat me gjoks të madh, ndaj edhe i thashë vetes: "uau, ç'bëhet kështu, do thonë ka "bërë Eli gjoksin". Sigurisht që në këto spekulime nuk ka asgjë të vërtetë.
Eli, ti identifikohesh me serenatat ose këngët e dasmave, por edhe baladat të shkojnë shumë. Ku e gjen më shumë veten?
Serenatat dhe këngët popullore i kam në gjak, të miat, të lindura si të them, ndërsa baladat më janë bërë si shpirtërore, i kam të nevojshme, sepse aty gjej mënyrën për të nxjerrë dufin ndoshta.
Po punon për ndonjë këngë dasmash si ajo me Sinan Vllasaliun, "Dasma e madhe"?
Them që për momentin publiku të kënaqet me këtë këngë, por normalisht që do bëj edhe një tjetër klip për verën e nxehtë, sërish me Adi Hilën.
Eli, na trego ndonjë të re për Marinën, vajzën tënde?
Marina punon tashmë, është rritur dhe unë jam më e qetë kur lëviz nga pak, për punë. Jam e kënaqur që ka mbaruar këtë fazën e studimeve, që është rregulluar.
A nuk të duket si motër tani?
Marina edhe 100 vjeçe të jetë, do të jetë e vogël gjithmonë për mua.
Edhe një gjë të fundit, meqë kënga flet për vetminë, po ti a je ende vetëm?
Opopo, Eli aktualisht po mendohet…
 (tiranachat.net)


Dergoi: arsimdiber



Komente 0