>
BIOSHQIP

Elsa Lila: Vrasësi I Nënës Sime, Gjykata Më Shokoi

04-11-2012
TIRANE-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi dënimin me 20 vjet burg ndaj Albenc Agos si autor i vrasjes së Eva Vishajt në vitin 1997, e ëma e këngëtares Elsa Lila, ka shokuar familjarët e së ndjerës.

Ky vendim "tronditës" për familjen Vishaj pritet të sjellë në Tiranë edhe këngëtaren Lila, e cila do të shfaqë publikisht qëndrimin e saj. Në një prononcim për gazetën "Panorama", avokati Sajmir Vishaj, vëllai i së ndjerës Eva Vishaj shprehu keqardhje për verdiktin e dhënë nga Kushtetuesja. "Jemi të shokuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Albenc Agon. E konsiderojmë vendimin të turpshëm", u shpreh Vishaj. Në vijim avokati tha se të premten ishte vënë në dijeni të vendimit edhe këngëtarja Elsa Lila, e bija e së ndjerës Vishaj, që aktualisht jeton në Itali, dhe si familje ata janë të shokuar nga vendimi i dhënë. "Këto ditë pres të vijë edhe mbesa ime, Elsa Lila, dhe të dalim në një konferencë për shtyp, ku do të japim qëndrimin tonë", tha avokati Sajmir Vishaj, vëllai i gruas së vrarë në vitin 1997.

Sipas juristit Visha, i cili njëkohësisht është kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Gjykata Kushtetuese në vendimin e dhënë ndaj Albenc Agos ka dalë jashtë kompetencave të saj. "Gjykata Kushtetuese ka marrë atributet e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit. E ka sqaruar gjithçka për këtë shkelje gjyqtari Xhezair Zaganjori në po atë vendim, ku ai është në mendimin e pakicës", tha avokati. I prekur nga vendimi, në prononcimin e tij për gazetën, Vishaj përmendi edhe një nga anëtaret femra të Gjykatës Kushtetuese, e cila është pjesë e shumicës në vendimin për prishjes e dënimit ndaj Agos. "Nuk e kuptojmë nëse Altina Xhoxhaj është nënë apo jo. Është dhënë një vendim ndaj një personi që ka vrarë një femër", tha avokati Vishaj.
(Panorama)

Elsa Lila: Vrasësi I Nënës Sime, Gjykata Më Shokoi