Emmy

Familja Kërkon Drejtësi Për Emmy-N

{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}
[18-12-2013]
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së parë për dënimin e biznesmenit kosovar Aziz Kelmendi me dy vjet e 10 muaj burg. Kelmendi ishte dënuar për vrasjen e këngëtares Elsina Hidershaj, e njohur me pseudonimin Emmy, vrasje që është cilësuar nga Apeli si aksidentale. Ndërsa Apeli ka vendosur që "pjesën e mbetur të dënimit, prej 2 vitesh, Kelmendi ta kryejë në burg".

Biznesmeni kosovar aktualisht ndodhet në Kosovë dhe nuk mori pjesë në seancë, ndërsa në sallë ndodheshin familjarët e këngëtares.

Babai i Emmy-t tha për “A1 Report” se “do ndjekim të gjithë hapat ligjorë. Vendimi është i padrejtë. Dihet botërisht që vajza ime është vrarë me dashje, dhe kjo është e vërtetuar edhe në dokumentet e Prokurorisë”.

Vetëm disa ditë më parë, Prokuroria dha konkluzionet në Gjykatën e Apelit, duke ndryshuar akuzën ndaj Kelmendit nga “vrasje nga pakujdesia”, në “vrasje me dashje”. Gjithashtu ajo kërkoi që çështja të rigjykohet, pasi ishin konstatuar shkelje dhe mangësi serioze. Megjithatë, Apeli dha sot vendimin, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe duke e cilësuar vrasjen aksidentale, por ndryshimi i vetëm është që vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

Dosja penale e “vrasjes nga pakujdesia” e këngëtares Elsina Hidershaj është kthyer për gjykim më 2 prill të këtij viti. Pas Gjykatës së Apelit, edhe Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e dënimit të biznesmenit Aziz Kelmendi me 2 vjet burg dhe ta kthejë çështjen për shqyrtim nga e para. Dosja iu kthye Prokurorisë së Tiranës me kërkesën që fashikulli të paraqitet në Gjykatën e Faktit të Tiranës për rigjykim. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, i gjithë procesi që u zhvillua në vitin 2011 duhet të bëhet nga e para.

Këngëtarja e njohur me emrin Emmy ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të datës 28 shkurt 2011. Ajo ishte plagosur rëndë nga biznesmeni nga Kosova, Aziz Kelmendi pranë pub “Venue” në Tiranë. Ngjarja, sipas Policisë së kryeqytetit, ndodhi pasi këngëtarja 21-vjeçare u tërhoq për disa metra zvarrë nga automjeti tip “Tuareg” me targë 612 KS 188, i drejtuar nga Kelmendi, ku ishte varur nga jashtë në xhamin gjysmë të hapur. Pak para ngjarjes ajo kishte debatuar ashpër me biznesmenin Kelmendi. Emmy u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike për jetën. Ajo iu nënshtrua një operacioni në kokë dhe arriti të mbijetonte vetëm për pak orë, duke ndërruar jetën rreth orës 02:00 të datës 28 shkurt 2011, në reanimacionin e spitalit.
 (a1)



Komente 0