>
BIOSHQIP
Biografia
Kompozitori Enver Shëngjergji i takon emrave që i kanë dhënë vlera muzikës shqiptare. Në aktivitetin e tij, për më shumë se 40 vjet krijimtari në gjininë e këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore është vlerësuar nga publiku dhe kritika në festivale të ndryshme të këngës. Por kompozitori, i cili ka dhuruar këngë që dhe sot kanë mbetur në kujtesën e publikut shpreh keqardhjen e tij që për muzikën shqiptare ka humbur vëmendja e duhur. Kompozitori Shëngjergji nuk e pranon jo profesionalizmin në muzikë. Sipas tij, sot mungon promovimi i muzikës së mirëfilltë shqiptare dhe më shumë shihte vetëm komercialiteti se sa vlerat muzikore. Kompozitori pohon se nëse do të vijojë ky trajtim për krijimtarinë, do të vijë dhe dita kur mos të dëgjohet më kënga shqiptare. Sa i takon aktivitetit të tij muzikor, kompozitori Enver Shëngjergji është nderuar me disa çmime në festivalet e RTSH, ku mund të përmendim titujt e këngëve: “Udhëtuam së bashku”, “Mbrëmja e fundit”, “Vajza e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Lulet e mollës”, etj. Motoja e tij në krijimtarinë muzikore ka qenë mbështetja në folklorin e pasur të popullit tonë, që fatkeqësisht sipas kompozitorit kjo ka humbur në shumë krijime sot në muzikë.