>
LETERSISHQIP

Erdha Të Të Sjellë Pranverën

Vrapon gjogu i mendimeve të bardha
Bashkë me erën e shiut dhe lutjeve,
Në trupin e shtegëtuar si në pranverë dardha,
U lëshuan shpirtrat në ishullin e zbutjeve.

Tingulli vinte i kapitur nga dihama e pritjes,
Me melodinë e erës së malit,me shushurimën,
Me flakën e ndezur si pishtarë rrugëdrejtues,
Me rrufepritësin,që lufton me vetëtimën.

Shpirtrat u bashkuan vetëtimthi sërish,
Të heshtur u derdhën në njëra - tjetrën.
I ulëm fletët si gjithmonë brishtësisht,
Puthja e sotme kerkon me të vjetrin.

Të zgjohemi në mbretërinë e qirinjve,
Të ngarendim me fytyrën e hyjnisë.
Shenjat e lëna nga nje rreshqitje stuhije,
T’i ngjyrosim me tingujt e melodisë.

Të mos mekatnojmë,t’i vëmi nje shtup gojës,
Të nemitur të mos heqim dorë, të hapim sy,
Ta përulim egon,të ulet serish mbi ne besimi,
Mbi gjithçka të ngadhnjejë qëllimi, që kemi të dy.

Erdha i dashur me gjogun, që erdhi me hingëllimë,
Erdha që qirinjtë e shpirtit ti mbajmë ndezur- pishë.
Drita e saj të jenë mëngjese që sjell lumturinë,
Së bashku të ruajmë mbreterinë e dashurisë.

Të dehemi nga jehonat e zërit të lumturuar,
Ta jetojmë jetës sikur është vetëm një ditë,
Gjethet e ndjenjës të lulëzojnë si pema,
Edhe pse është vjeshtë,mbi ne kemi perenditë.

Erdha hipur mbi gjogun e bardhë dhe të mbarë,
Aromën e pranveres sjell dhe në vjeshtë.
Me flladin e malit, me buzën e mjalit ngjyrë - ar,
Vargun e fjalës tënde mbi trup e mbaj vesh.

Andaj dhe ndjehem e vargut mbretëreshë.