>
LETERSISHQIP

Më Lër Të Fle...

Rrezja e diellit përkëdheli qerpikët në sytë e përgjumur për të më zgjuar...

(një natë më parë)
Ishte një natë e gjatë, shumë e gjatë dhe pa gjumë.
Një nga ato netët kur numëron sekondë më sekondë në pritje të lindjes së diëllit.
Një natë aq e zhurmshme, kur ty të mbyt qetësia, heshtja dhe vetmia në përpëlitje frike.
Një natë as e ulur, as e shtrirë e përqafuar me dridhjet e një shpirti të përgjysmuar.
Kaq gri dhe të frikshme dëgjoheshin zërat e njerëzve që ktheheshin në mëngjes në shtëpi.
Ndërkohë... akrepat e orës kërcenin një tango të ngadaltë... drejt zbardhjes së ditës.

(dita erdhi)
Mëngjesi më gjeti të zgjuar.
Rrezet e diellit vetëm sa më kujtuan që dita e re zbardhi, e mua po më priste.
Një mbyllje sysh për dikë, sillte natën. Çelja e syve, ndizte dritën... :)
Çfarë është jeta?
Mendime lëmsh, që të shoqërojnë në netët e vetmisë dhe frikës së madhe.
Tmerri që të mbulon në natën e zezë dhe numërimi i sekondave... me dëshirën të ketë një tjetër zbardhje drite.
Me dëshirën të të përkëdhelen sërisht qerpikët dhe buzët me ngrohtësinë e puthjeve diellore të zgjohen.
Pagjumësia e frikshme, përpëlitjet e një shpirti bosh!

Dashuria e madhe për ditën...
Kjo është jeta, dritë, ditë, ngjyra, dashuri... jetë.
Jeta është buzëqeshje, bardhësi... ështe e vetmja jona mrekulli e dhuruar.
Në netët gri arrijmë ta shohim në fundin e tunelit dritën tonë të shpresës, mrekullinë tonë jetë që na thërret.
Me thonj shtrënguar fort pas dritës doo e përballoj natën... sado e errët ardhtë ajo.

(prapë natë)
Dielli e braktisi qiellin, errësira do mbretërojë sërisht...
Të lutem ji e bardhë sonte...
Lejomë të ëndërroj dhe mëngjesi të më zgjojë mes përqafimeve të ngrohta diellore.
Më lër të fle...

fillimviti 2013