>
LETERSISHQIP

Petalka

''- O, ooo, mos, mos se do bie...'' - foli një zë i frikësuar, që mesa duket asnjë nuk e dëgjoi. Vogëlushja vazhdonte të përpiqej të këpuste lulen e bukur për t'ia dhuruar gjyshes së saj që e vështronte me sy të dashuruar e plot përkujdesje e ulur në njërin nga stolat e parkut.
''- Mos lulen, bija e nënës. Mos e këput, pasdite në petalet e luleve ulet dhe fle E Bukura e Dheut. Mos ia prish gjumin.'' - qeshi ëmbël gjyshja dhe i puthi me dashuri doçkat e vogla. Manjola, mbante emrin e një lule, e i adhuronte ato, por më shumë pëlqente historitë që nëna i tregonte për lulet, zanat e luleve, edhe për Të Bukurën e Dheut.
U larguan të dyja përdore ndërkohë u ndje sërisht zëri nga petalja e lules: ''- Më quajti Të Bukurën e Dheut... Hihihi hahaha faleminderit o nëna, po unë jam vetëm një zanë e vockël, zana e luleve.''
E quanin Petalkë e siç e kuptuat nuk është E Bukura e Dheut, por zana çamarroke që kujdeset për lulet. Çdo pasdite i pëlqente të ulej në lulet shumëngjyrëshe të parkut në periferi të qytetit, përmbi petalet e buta me të cilat ishte e detyruar të ndante emrin. I pëlqente ky vend, kaq i qetë, kaq i bukur (e kishte bekuar vetë ajo, me pluhurin e saj magjik), por më shumë, më shumë i pëlqente të vinte aty sepse vinin shumë gjyshe me nipërit e mbesat. Gjyshet janë kaq të mira, e dinë kaaaaaq shumë histori të bukura, sa Petalka jonë nuk i ndahej më këtij parku, e as gjysheve.
Çdo pasdite vinte edhe Manjola, vogëlushja 3 vjeçare me kordelen e kuqe ndër flokë përdore me gjyshen e saj, nëna Zana quhej ajo. E ky emër i pëlqente Petalkës, sepse ndante diçka edhe me nënën, edhe me Manjolën ishte edhe zanë edhe lule.

Po shumë pak e dinë që Petalka ndante edhe më shumë me gjyshe Zanën. Petalka kishte aftësinë të bëhej e dukshme për një fëmijë të vogël, të fliste me të e t'i mësonte shumë e shumë gjëra. Të bëhej shoqja e tij e ngushtë dhe këshilluesja e mbajtësja e sekreteve të rëndësishme fëminore. Edhe gjyshe Zana dikur, kur ishte fëmijë vinte në këtë park të luante. Edhe atë e sillte gjyshja e saj, edhe ajo donte të këpuste lulet derisa një ditë Petalka iu shfaq e shtrirë mbi petalet e një lule të kuqe.
Zana e vogël nuk u tremb, por u mahnit dhe donte ta prekte e ta shikonte nga afër atë magji. Petalka nisi t'i fliste për veten, për dashurinë e saj për lulet e sidomos për përkujdesjet e saj për çdo lule, çdo pemë e çdo petale përgjatë gjithë pranverës. Ajo i jepte jetë natyrës, bashkë me motrat e vëllezërit e saj shpërndaheshin kudo nëpër lule, fluturonin e lulëzonin gjithçka përreth me pluhurin e tyre magjik.

Gjyshe Zana e mbante mend këtë ngjarje si një ëndërr fëmijërie, megjithatë Manjolkës sonë të vogël i thoshte të mos këpuste lulet, gjithmonë me frikën se do të dëmtohej ndonjë zanë e vockël që pushonte përmbi petale. Por, kurrë s'do e kishte menduar se përmbi petale, pushonte ende ajo mikja e saj e fëmijërisë Petalka çamarroke. Një ditë të bukur nëna Zana dhe Manjola ishin ulur në stolin pranë pemës nga kishte marrë emrin vogëlushja dhe po bisedonin mjaft seriozisht. Kjo i pëlqeu shumë Petalkës, e cila vendosi të pushonte në lulet e manjolës atë pasdite. Donte të dëgjonte miken e saj të zemrës nëna Zanën. Manjola e vogël po e shikonte dhe ndiqte në çdo lëvizje fytyre gjyshen e saj e cila po i tregonte një tjetër përrallë me zana e me lule. Petalka qeshte se i kujtoheshin që ato nuk ishin trillime e ëndrra të gjyshes, ishin aventurat e tyre, ishte jeta e saj e vërtetë. Por kur rritemi gjithçka që kemi jetuar e përjetuar s'e shohim më si pjesë të reales, e mbajmë mend si nëpër mjegull, si një përrallë, si një ëndërr. Kështu dhe gjyshe Zana nuk e mbante mend se Zana e përrallës së saj ishte vetë ajo. Manjola e vogël u ngrit në këmbë e qëndroi përpara pemës me emrin e saj.

''- Lule të bukura manjola...''- tha vogëlushja dhe u afrua një dege që derdhej gjer në tokë donte të përkëdhelte patjetër një lule. U ngrit në gishtat e këmbës si një balerinë e vërtetë dhe me majat e gishtave përkëdheli lehtë një lule që i buzëqeshte nga dega më e ulët e pemës. Një e qeshur e ëmbël u dëgjua, buzëqeshja kur dikush të gudulis. Manjola pa njëherë rreth e rrotull, po nuk dalloi asgjë. Edhe gjyshe Zana ishte diku më tutje po bisedonte me nënat e tjera. U zgjat edhe njëherë në majat e gishtave dhe ripreku të njëjtën lule. U dëgjua e njëjta buzëqeshje dhe u panë dy syçka jeshilë që po shikonin me shumë ëmbëlsi Manjolën. Çuditërisht as Manjola nuk u tremb, ashtu sikundër gjyshja e saj vite më parë. I buzëqeshi zanës së vogël dhe shumë e lumtur i tha: ''- Oh, një zanë. E dija unë që këtu kishte zana.'' Fjali kjo e thënë me fjalët e mëdha të një 3 vjeçareje. Petalka nuk humbi kohë dhe u prezantua, ashtu denjësisht siç i takonte një zane lulesh. Manjola u ul në tokë dhe duatrokiste kur shihte kërcimin e Petalkës. Ajo kërcente me gjethet, me petalet, me erën dhe i tregonte Manjolës për jetën e një zane.

''- Unë jam zana e luleve. Ajo që çdo pranverë zgjohet nga gjumi i dimrit dhe vjen e ulet lule më lule. Ashtu siç të zgjon ty nëna çdo mëngjes, ashtu zgjoj edhe unë lulet me puthje e ledhatime. A e di ti sa dashuri na falin lulet? Pranvera është stina më e dashur për mua, po këtë e di ti se kot nuk jam zana e luleve unë.'' Petalka fliste dhe Manjola habitej e gëzohej, përplaste duart. Gjyshe Zana e shihte nga larg dhe i gëzohej gëzimit të padukshëm të Manjolës. Thellë-thellë edhe ajo e kuptonte atë që po ndodhte. Manjola i premtoi shoqes së saj që do të vinte gjithmonë, gjithmonë në këtë park që ato të luanin e gëzoheshin bashkë. Çdo ditë e njëjta gjë, i njëjti ritual, Manjola sapo hynte në rrugicën e parkut vraponte drejt manjolës së bukur afronte duart drejt luleve dhe priste që syçkat jeshilë të Petalkës t'i buzëqeshnin.

Uleshin të dyja në barin e mbushur plot e përplotë me lule dele, thurrnin kurora e tregonin histori e përralla. Manjola i tregonte përrallat që i thoshte gjyshja, e Petalka i tregonte për vëllezërit e motrat e saj.

Ditët kalonin ngadalë - ngadalë dhe pranvera i la vendin verës, e ngadalë - ngadalë vera u preh në krahët e vjeshtës e kjo e fundit iu dorëzua dimrit.
Manjola i kaloi pushimet e verës në plazh bashkë me gjyshen e saj të dashur Zanën dhe prindërit e saj. Petalka nuk pushonte as në verë, qëndronte në park e freskonte me vesë lulet trimoshe që luftonin dhe ato me vapën verore. Në shtator, Manjola u regjistrua në kopsht. Ishte gocë e rritur tashmë, për pak ditë bënte 4 vjeçe. Petalka në vjeshtë fluturonte me gjethet e pemëve dhe i ndihmonte të binin butë në tokë. Fluturonte sa andej këtej dhe puthte çdo pemë e i uronte të pushonin të qeta në dimër, sepse në pranverë ajo prapë do t'i zgjonte me puthje e me lule. Cicërimat e zogjve do të ndiheshin sërisht, edhe cicërimat e fëmijëve do t'i jepnin parkut të njëjtën gjallëri e lumturi.

Ishte një stinë e bukur pranvera që kaloi, Petalka njohu një tjetër mikeshë të vogël, ashtu siç ndodhte çdo vit. Manjolën nuk do e harronte, edhe pse vogëlushja nuk kthehej më në atë park. Ishte e sigurt, që ajo nuk jetonte më në atë qytet, e kushedi sa do ishte mërzitur që nuk e puthi dot për herë të fundit në flokët e saj të artë, gjithmonë të lidhura me një kordele të kuqe.

*******
Petalka hapi sytë e përgjumur. Kishte fjetur gjatë, një nga dimrat më të gjatë që kishte parë ndonjëherë ndaj ishte koha që të zgjohej e t'i jepte jetë pranverës. Për disa ditë mbërrinte 1 Marsi dhe pranvera duhet t'iu tregonte të gjithëve që ishte rrugës duke ardhur. U ngrit në fluturim dhe iu drejtua parkut të saj të dashur. Me puthje, ledhatime e pluhur magjik filloi të zgjonte pemët, lulet e përgjumura dhe barin e njomë. Kërcente sa andej këtej e i falte jetë e gjallëri parkut. Zogjtë e shoqëronin me këngën e tyre. Cicërimat e një vogëlusheje u dëgjuan dhe Petalka u ndal që ta shikonte vizitorin e parë të parkut në pritje të pranverës. E zënë në turp si ajo zonja e shtëpisë që nuk i patë mbaruar punët e shtëpisë dhe i erdhi miku papritur, ajo ndali gjithçka që ta priste me pranverë vogëlushin që vraponte.
''- Petalka mamit mos vrapo aq shumë se do biesh...''
Këto fjalë dëgjoi zana e luleve dhe u çudit jashtë mase, emrin e saj e mbante tashmë një vogëlushe. E shikon me vëmendje të ëmën e saj, e një buzëqeshje i mbuloi fytyrën vesh më vesh. Ishte Manjola, mikja e saj e lojërave kur ishe ende një vocërrake.
Sa shumë pranvera kishin kaluar që atëherë... Sa shumë kohë, e sa shumë mall.
Manjola u rikthye pas kaq shumë pranverash sërisht në atë park, ku fëmijëria e saj kishte gjetur të tjera ngjyra. Aty ku kishin lindur aq shumë kujtime. Gjithmonë rikthehemi aty ku kemi lënë copëza të fëmijërisë. Manjola ishte rritur, e tashmë s'dinte më ta dallonte a ishin ëndrra apo të vërteta takimet me zanën e luleve, por emrin e mbante mend mirë dhe vogëlushja e saj e parë u quajt Petalkë.
Manjola iu drejtua pemës së manjolës, i puthi sythet e buzëqeshi, ashtu si atëherë kur ishte e vogël dhe në majë gishtash kërkonte të kapte njërën lule. Zana e luleve, Petalka kishte sy veç për Petalkën e vogël, derisa një zë e zgjoi: ''- Mos i këput manushaqet Petalkë, ato lajmërojnë pranverën. Mos i këput lulet, ato janë aq të bukura e na falin aq dashuri. Në lule fle edhe E Bukura e Dheut.''

Zana e luleve buzëqeshi për të disajtën herë. Të gjithë e quanin E Bukura e Dheut, për dashurinë e saj për lulet, për pranverën, për fëmijët e për kujtimet e tyre e sidomos për shpirtin e saj të bukur, si një pranverë në lulëzim.

Atje në parkun në të dalë të qytetit, në çdo pranverë kur shihni lulet të buzëqeshin e nën rrezet e diellit të ndriçojnë, mos harroni të kujtoni Petalkën e bukur. Zana e luleve po i rikthen gjallërinë parkut e bashkë me cicërimat e zogjve pret edhe cicërimat e fëmijëve. Mbyllni sytë, me sytë e shpirtit mund ta shihni zanën e ëmbël të luleve, ajo që sjellë pranverën.

Dhe mos harroni: Mos i këpusni lulet, Petalka pushon në to, gjithmonë.