>
LETERSISHQIP

Një Mrekulli Krishtlindjesh...

Më në fund erdhi dhjetori.
E çuditshme ta thuash (sidomos kur mendon moshën e saj vetëm 10 vjeçare), por kishte gjithë vitin që priste dhjetorin. Jo se u lodh me muajt e tjerë e mezi priste të mbaronte ky vit, por një vit më parë në letrën që i shkruajti Babagjyshit, kishte dashur të kërkonte edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme dhe kjo e shqetësonte pa masë. Ndihej fajtore që nuk kishte përmendur në letër familjen e doktorit që jetonte pranë vilës së tyre madhështore, atë familje të varfër, por me zemër të madhe.

Po ajo atëherë nuk e dinte...
Ema, kështu quhej vogëlushja 10 vjeçare që jetonte në vilën e bardhë me portën e kuqe, në fundin e ''Rrugës së Lulëkuqeve''. Ishte një vogëlushe shumë e dashur dhe e zgjuar, edhe shumë e shkathët, gjë që nuk i pëlqente aspak gjyshes së saj. Një zonjushëz nuk bredh me vrap, një zonjushëz nuk hipën nëpër pemë e as rrokulliset në barin e kopshtit të vilës... madje madje një zonjushëz nuk duhet të shoqërohej me njerëz jo të klasit të saj shoqëror. Por Emës këto fjalë nuk i bënin aspak përshtypje, shumicën as nuk i kuptonte. Nëna e saj e ndjerë, i kishte mësuar të donte çdo njeri, të respektonte çdokënd, e të mos bënte dallime e t'i gjykonte të tjerët nga rrobat që veshin apo nga shtëpia ku jetojnë.
- ''Ti ke lindur me fat e dashur, ti ke lindur në një familje që ka mundësi të të plotësojë çdo tekë, por mendo që atje jashtë ka shumë fëmijë që nuk kanë asgjë. Mos harro që njeriu është më i lumtur, kur jeton mes njerëzve të lumtur.''

Nëna e saj e mësoi që të ishte mirënjohëse për gjithçka që kishte dhe sa herë mundej ta ndante me të tjerët fatin e saj të mirë. Ema u rrit me fjalët e mësimet e së ëmës, edhe pse të ëmën e humbi përpara katër vjetësh nga një sëmundje e rëndë. I ati i saj e vuajti shumë humbjen e së shoqes dhe që atëherë u mbyll në vetvete, edhe për Emën kujdesej tashmë gjyshja e saj.

Ema kishte kokën e saj, ishte një vogëlushe që vendoste vetë dhe bënte atë që i thoshte zemra. Ja kështu duke mos iu bindur gjyshes së saj, që shumë herë e ndalonte të bënte atë që Ema donte, hyri në shtëpinë e vogël që stononte aq shumë në krahë të vilës së tyre madhështore. Hyri në atë kopësht të vogël dhe tinëz iu afrua dritares që për fatin e saj nuk kishte perde, e mund të shihte mirë se ç'bëhej aty. Iu afrua me kujdes dhe mbështeti duart në xham duke krijuar një si dylbi që të shikonte më mirë.
U tremb!
Sytë e saj u pasqyruan në dy sy të akullt që po e shihnin nga brenda xhamit të mbuluar nga avulli.

Dikush e zbuloi.
Ose ajo zbuloi dikë.

Donte të ikte me vrap, këtë po mendonte por diçka e mbante aty, e nuk e linte të lëvizte asnjë centimetër. Vazhdonte ende e ngjitur pas xhamit, e sytë e akullt tashmë po i buzëqeshnin. Iu dukën sytë më të bukur në botë dhe ua ktheu buzëqeshjen.

Nuk luante nga xhami e vazhdonte të shikonte e buzëqeshur përtej tij... një dorë iu mbështet mbi shpatull dhe e tmerruar ktheu kokën, duke bërë një hap pas. Ishte një grua që e ftoi të hynte brenda sepse aty bënte shumë ftohtë, por që u pendua shpejt për ftesën kur e njohu vajzën.
Ajo u përkul përpara Emës dhe i kërkoi falje që nuk mund ta ftonte brenda, sepse ajo shtëpi nuk ishte e denjë për një zonjushë si ajo.
Ema nuk e dëgjoi, thjesht i buzëqeshi dhe hyri brenda. Ajo mezi priste të shihte se cilët sy nuk ia ndanë vështrimin nga xhami i veshur me avull. Donte të njihte sytë e buzëqeshur.
Kur hyri në dhomë, u trondit nga varfëria e kësaj familje, u tremb kur mendoi se dikush jetonte në këtë gjendje të mjeruar kaq ngjitur me kështjellën e saj... oh të gjyshes së saj, ajo nuk e donte fare jetesën në vilën e bardhë me portën e kuqe, në fundin e ''Rrugës së Lulëkuqeve''.
Ecte drejt dritares për të parë kush qëndronte ulur atje... Në një karrige të vjetër lëkundëse, me gjunjtë e mbuluar me një batanije jeshile qëndronte një vajzë e vogël, me sy ngjyrë akulli e flokët kaçurrela të artë. Sa e bukur ishte, edhe pse e dobët sa mund t'i numëroheshin kockat një më një. E ëma e vajzës, iu afrua dhe i tha në vesh me zë pakëz të ulët.

- ''Është Era, vajza jonë e vetme. U sëmurë 4 vjet më parë, ashtu si nëna juaj nga e njëjta sëmundje. Nëna juaj e ndjerë, nuk arriti të shpëtonte, Era jonë e mundi sëmundjen, por ajo i la një shenjë që do t'i ikë me kohën... Kështu menduam..., kështu shpresuam..., por kanë kaluar katër vjet dhe e vogla jonë nuk mund të ecë. Im shoq është doktor, doktori i vetëm i fshatit dhe sëmundja e Erës e ka shkatërruar. Ai nuk mundet të bëj asgjë për të. Është ajo që ka frikë të ngrihet. Është ajo që nuk beson më.''


Emës i ishin mbushur sytë me lot, sa dhimbje... iu kujtua nëna, iu kujtuan ditët e vetmuara, iu kujtuan lotët e derdhura fshehur ndër vite dhe u lëshua përqafoi vajzën duke iu ulur në gjunjë, e mbështeti kokën në kraharorin e saj... dhe qau, qau sa për gjithë vitet që kishte qëndruar e fortë, për hir të babait të saj. Ëmë e bijë panë njëra-tjetrën në sy, e të dyja njëkohësisht u munduan të ngushëllojnë Emën, që tashmë nuk pushonte së qari. Ta thyente zemrën, ajo vogëlushe që kishte mbajtur në zemër e në shpirt një trishtim të tillë... dhe askush nuk e kishte parë të derdhte lotë... deri në këtë çast, në krahët e Erës.

Era i përkëdheli fytyrën dhe i tha të mos qante, një vogëlusheje bukuroshe nuk i duheshin mbushur sytë me lotë. Era ishte 12 vjeçe, por fliste sikur të kishte jetuar të paktën 30 vjet në tokë me gjithë hallet dhe problemet e mundshme.
Dukej që sëmundja dhe lufta kundër saj e kishin rritur dhe pjekur para kohe. Kur Ema e mblodhi veten, u ngrit në këmbë i vendosi vajzës duart në shpatulla, edhe i tha: ''Ti do të ecësh, ta premtoj!''
Duke thënë këtë doli nga dera me vrap, gati-gati sa nuk u përplas me doktorin që donte të trokiste për të hyrë në shtëpi.
- ''Era do të ecë!'' - vazhdonte të pëshpëriste besimplotë, e herë pas here hidhte vështrimin nga qielli, shikonte për të ëmën. - ''Ti do të më ndihmosh, nënë! Të rigjeta nënë.''

Ajo e dëgjonte! Ema e besonte këtë, gjithmonë e kishte besuar se nëna e saj e ndiqte që atje lart dhe i bënte shenja sa herë që ajo kishte diçka për të vendosur e i kërkonte mendim.
Duke ecur rrugës, harroi që para dy ditësh i kishte nisur Babagjyshit letrën me dëshirat e saj dhe u ndje fajtore që nuk dinte më përpara për Erën dhe vuajtjen e saj. Ah sikur ta dinte, ta kishte pëfshirë dhe atë në listën e saj të dëshirave.
Ah, sikur...
Megjithatë nuk u dorëzua, i premtoi vetes, i premtoi nënës së saj me sytë nga qielli... ai ylli më i shndritshëm ishte Ajo, që do e ndihmonte Erën që të ecte e të donte jetën sërisht. Era ishte e fortë, kishte arritur atë që shumë të tjerë nuk kishin mundur, e mposhti sëmundjen. Tani i ngelej vetëm të rikthehej në jetë dhe ajo do e ndihmonte.
E dinte ato të dyja do të bëheshin mike shpirti.
Çdo ditë pasi mbaronte mësimin Ema shkonte në shtëpinë e doktorit ku e priste Era e buzëqeshur, e gatshme për shëtitjen e gjatë në kopshtin e shtëpisë kështjellë. Doktori kishte mundur t'i gjente një karrocë të vjetër me rrota, por që funksiononte ende për mrekulli. Ishte karroca e një pacienti të pasur që kishte mundësi të blinte një të re, ndërkohë doktori mund të gëzohej për këtë dhuratë.

Një shpresë për Erën.

Ema e shtynte karrocën, e Era ulej në të e mbuluar me batanije se mos ftohej. Ishte e dobët fizikisht, qëndrimi brenda e kishte dobësuar jashtë mase. Por ajo nuk kishte shoqe me të cilat të dilte... shoqet e harruan, kur përpara katër vjetësh u sëmurë dhe nuk doli më përjashta. Të gjithë e harruan dhe ajo i harroi të gjithë, sepse nuk deshi kurrë që ta shihnin ashtu të dorëzuar e skllave të një karrigeje. Edhe pse ajo thellë-thellë priste, askush nuk e kërkoi, deri ditën që Ema, ëngjëlli i saj i veshur me të bardha i ngjalli shpresat për jetën.
Gjyshja e Emës i ndiqte me sy çdo ditë nga ballkoni i dhomës së saj dhe urdhëronte gjithmonë dikë që t'iu çonte biskota e çaj kur e shihte që vajzat ndaleshin të shijonin ajrin e pastër. Edhe gjyshja u dorëzua përpara kësaj miqësie të sinqertë dhe fshehurazi edhe ajo shpresonte e lutej që Era të rikthehej ajo që ishte dikur. Ajo besonte ke forca e mbesës së saj, Ema ishte një optimiste e lindur, i ngjante nënës së saj.
Çdo ditë i njëjti ritual, për të dy miket. Terapia e Emës ishte e thjeshtë... Era duhet të rifillonte të dashurohej me jetën, me lindjen e perëndimin e diellit, me lulet, me qiellin, me retë e me shiun.
Era duhet të ndjente jetën t'i rridhte në vena dhe Ema do të ishte aty për të, ta mbante përherë përdore e të mos e lëshonte kurrë.
Kështu kaluan ditët, javët, muajt... dhe Era ndihej më mirë, më e fortë, por ende nuk kishte marrë guximin që të ngrihej, të paktën ta provonte një herë të vetme. Ema nuk hoqi dorë, gjithë kohën qëndroi pranë saj, nuk ishte më vajza 10 vjeçare tekanjoze, që njohu Era një vit më parë (e që gjyshja i bërtiste në çdo kohë për gjithë prapësirat e saj), i kishte mbushur të 11 vjetët tashmë edhe ishte një vajzë e pjekur me një qëllim.

Ajo i kishte bërë një premtim vetes, ishte zotuar që bashkë me Erën, së shpejti do të shkonin në shkollë.

Të dyja bashkë duke ecur dorë për dore. Të dyja bashkë duke vrapuar. Të dyja bashkë.
Ja këtë histori i tregoi Babagjyshit atë natë në letër, kishte kaluar një vit qëkur ajo e Era ishin parë për herë të parë pas një xhami të avullt që i ndante. Sytë e tyre kishin qeshur dhe ato e kishin kuptuar, do të ishin mike përjetë.
Babagjyshi e dinte këtë, e ndaj ajo këtë vit kishte vetëm një dëshirë të vogël:

''I dashur Babagjysh,
ti gjithmonë m'i ke plotësuar dëshirat. Të lutem, të lutem, bëj që Era të ecë sërisht.''
... dhe i ngriti syti nga qielli: - ''Të lutem nënë, më ndihmo edhe ti! Të lutem, ti e di përse. Të humba njëherë, kësaj herë të lutem jo.''

E zuri gjumi ashtu, të ulur në parmakun e dritares me letrën e shtrënguar në gjoks. Të nesërmen u zgjua shpejt, ishte data 24 dhjetor. Pragu i Krishtlindjeve, mbrëmja më e rëndësishme për familjen e saj. Vinte edhe xhaxhai i saj, edhe halla... familja mblidhej dhe në mbrëmje pasi shijonin darkën me dymbëdhjetë gjellë të ndryshme (kështu e donte tradita të gatuheshin të paktën 12 gjëra të ndryshme), uleshin përballë pemës, ngjitur me oxhakun e madh ku vallëzonte zjarri bubulak, e duke kënduar këngë Krishlindjeje, hapnin dhuratat.
Ajo kishte blerë një dhuratë edhe për Erën e saj të dashur, e mezi priste të kalonte ora 12 që të zbriste në shtëpinë e vogël të doktorit. Gjyshja e saj e shoqëronte, nuk mund ta linte vetëm.
Ema u gëzua shumë, e kishte vënë re ndryshimin e gjyshes, e dinte që edhe ajo lutej në heshtje që vogëlushja t'ia arrinte qëllimit, e mikja e saj të fitonte sërisht besimin e dashurinë për jetën.
Derën e hapi doktori dhe i ftoi që të hynin brenda. Era ishte ulur në një kolltuk të mbuluar me një mbulesë vishnje të punuar me bizë mjaft keq. Kuptohet, dikush do t'ua kishte dhuruar. Era i buzëqeshi dhe i bëri shenjë me dorë të mos lëvizte, e të mos i afrohej. Të gjithë u panë në sy, por një buzëqeshje e Erës iu duk sikur në atë moment të gjithë do të merrnin një dhuratë.
Zemra po iu dridhej, Era iu buzëqeshi sërisht dhe vendosi duart në krahët e kolltukut, për t'i dhënë forcë vetes.

Kishte nevojë për një shtysë.

Sytë e të gjithëve, edhe të gjyshes u mbushëm me lotë dhe ndriçonin më shumë se globat e pemës së Krishtlindjeve të vilës së bardhë.
-''Ema më prit, po vij të të përqafoj...'' - kaq tha Era dhe u ngrit e u nis e lëkundur drejt mikes së saj. Të gjithë mbajtën frymën, e ato pak sekonda u dukën sikur kaloi një vit i tërë. Era u hodh në krahët e mikes së saj dhe me gjysëm zëri, duke qarë e duke qeshur e falenderoi që i riktheu besimin ke jeta, ke dashuria, ke miqësia e vërtetë e ke njerëzit e mirë. U përqafuan të gjithë, bashkë me gjyshen.
Ema u shkëput nga përqafimi dhe iu afrua dritares të falenderonte Yllin e saj më të shndritshëm:

- ''Faleminderit nënë, TI m'u riktheve.''

*Nënën e Emës, e quanin Era... njëherë nuk mundi ta ndihmonte, këtë herë ia arriti qëllimit. Një Era do ishte gjithmonë në jetën e saj, njëra Yll, e tjetra në krahun e saj duke ecur bashkë.
Mrekullitë ndodhin, ndonjëherë duhet thjesht t'i ndihmojmë paksa.