>
BIOSHQIP

Ermal Fejzullahu Premton Dy Këngë Të Reja

19-01-2014
Ndonëse nuk ka shumë kohë që këngëtari Ermal Fejzullahu ka lansuar në treg një këngë të re, ai ka bërë të ditur për gazetën Tribuna se është duke punuar që së shpejti të vijë edhe me dy projekte tjera, ndërsa ka shtuar se njëra nga këto do të jetë në bashkëpunim.

Po shijon suksesin e këngës së fundit ‘Të fala ke nga unë’, e cila po pritet shumë mirë nga publiku. Por, kjo nuk po e lë këngëtarin prishtinas Ermal Fejzullahun që të rri duarkryq. Ai për gazetën Tribuna ka bërë të ditur se është duke punuar në dy këngë të reja, të cilat sipas tij do të lansohen shumë shpejt. “Jam duke punuar në dy projekte të reja”, ka thënë Ermali në fillim të bisedës, ndërsa ka shpalosur se njëra nga këto këngë do të jetë në bashkëpunim. “Njëra këngë do të jetë solo ndërsa kënga tjetër do të jetë në bashkëpunim. Këngët do të jenë të plotësuara me videoklipe. Dhe po mendoj t’i lansoj pas dy muajve”.

‘Kohën e lirë ia kushtoj familjes’

E përvec angazhimeve rreth projekteve të reja, këngëtari Fejzullahu është edhe njëri ndër emrat më të kërkuar nëpër mbrëmje muzikore. E këtë e pohon edhe vetë ai. “Angazhimet janë në të njëjtin intensitet. Mbrëmjet muzikore si gjithmonë po shkojnë shumë mirë, jam i angazhuar pothuajse çdo vikend jashtë dhe brenda vendit kudo që ka publik shqiptarë”, ka treguar më tej Ermali.

E ndonëse i angazhuar rreth karrierës së tij, Ermali i cili tashmë është baba i tre fëmijëve ka treguar se nuk është e lehtë, mirëpo sipas tij me menaxhim të mirë të punës, ai arrin që të jetë edhe pranë familjes së vet. “Nuk është e lehtë, mirëpo kur di t’i menaxhosh punët mirë atëherë ia del. Unë vikendeve zakonisht jam me mbrëmje muzikore i angazhuar. Ndërsa ditët tjera normal jam pranë bashkëshortes e fëmijëve të mijë. Mundohem që kohën e lirë t’ia kushtoj atyre plotësisht”, ka thënë për fund këngëtari.
(Nita Brisku)

Ermal Fejzullahu Premton Dy Këngë Të Reja