>
BIOSHQIP

Sezoni Për Ermal Fejzullahun Ka Filluar

16-05-2014
Këngëtari i njohur Ermal Fejzullahu, në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se është duke punuar në dy këngë të cilat do të vijnë në bashkëpunim. Ndër të tjera ai ka shpalosur edhe angazhimet e tij për këtë sezon, ndërsa ka theksuar se ka në plan edhe një bashkëpunim me Sabri Fejzullahun...



Ka postuar një foto në studion muzikore ‘Elephant’ me mbishkrim që këtu punohet. E kjo menjëherë zgjoi kureshtjen se mos ndoshta Ermal Fejzullahu po punon ndonjë bashkëpunim me këngëtarin Blero. E derisa ai për gazetën Tribuna ka thënë që me Bleron takohet se janë miq të mirë, ka treguar se i ka në plan dy bashkëpunime por me këngëtarë të tjerë. “Jo nuk kam me pas bashkëpunim me Bleron tani, atë e kam vetëm shok dha dal shpesh me të. Mirëpo, nuk do të thotë që nuk kemi me bë ndonjëherë bashkëpunim. Por njëherë për njëherë e kam në plan të vij me dy bashkëpunime tjera”, ka thënë Ermali në fillim të bisedës, ndërsa ka shtuar.



“Jam duke punuar në dy këngë. Të dyja do të jenë në bashkëpunim. Njëra ka me qenë me Mimoza Shkodrën, kurse tjetrën e kam në bashkëpunim me 2Ton”, ka shtuar tutje këngëtari, derisa nuk ka hezituar të shpalosë edhe më shumë detaje rreth këngëve. “E para që do të lansohet kënga me Mimozën. Është një këngë ritmike, verore. Muzikën e kësaj kënge e kemi realizuar te studio “Dini”, ndërsa tekstin e ka shkruar Rozana Radi. Kënga do të jetë e plotësuar edhe me videoklip dhe do të publikohet gjatë verës”, ka thënë Ermali i cili ka dashur që titulli i këngës të mbetet befasi për publikun.



Por edhe pse tregon se kënga e parë që do të dalë në treg është ajo me Mimoza Shkodrën, Fejzuallhu ka thënë që edhe kënga që e ka me rep-artistin 2Ton është e gatshme, pritet vetëm finalizimi i tij. “Edhe kënga me 2Ton ka përfunduar, tekstin e ka shkruar vetë Artoni, ndërsa muzika është realizuar nga Zapp&Chriss. Edhe kjo këngë do të jetë me videoklip, por ende nuk kemi vendosur se ku do ta bëjmë klipin. Ndërsa për detaje më shumë mendoj se është herët të flas. E rëndësishme është që edhe kjo këngë do të lansohet gjatë verës”.



E ndonëse po vjen me dy bashkëpunime, Ermali në pyetjen se a e ka në plan të bëjë bashkëpunim me këngëtarin tonë të njohur, njëherësh babin e tij Sabri Fejzullahun, ai ka thënë . “Po e kam në plan të bëj edhe një bashkëpunim me babin. Ka kohë që e mendojmë këtë. Por nuk do të ketë një të tillë tash shpejt. Besoj që gjatë festave të Vitit të Ri do të vijmë me një bashkëpunim”, ka nënvizuar Ermali, duke treguar për fund që angazhimet nëpër mbrëmje të ndryshme për të kanë filluar. Madje ai thekson se tashmë datat i ka pothuajse të caktuara. “Po angazhimet janë të shumta, thuajse çdo natë e kam të zënë. Jam i angazhuar nëpër mbrëmje e ahengje të ndryshme muzikore nëpër vende të Kosovës e po ashtu edhe vende shqiptare turistike”.
(Majlinda Llapashtica)

Sezoni Për Ermal Fejzullahun Ka Filluar