>
BIOSHQIP

Ervin Bushati: Disa Kolegë I Krijojnë Vetë Skupet

21-08-2012
"Albumi sapo ka dalë në treg dhe titullohet 'Veç për ty', ka 11 këngë, bashkëpunime me kompozitorët: Adrian Hila, Jetmir Mehmeti, Edlir Begolli, Ervin Gonxhi, poetët Armand Trebicka, Rozana Radi, Pandi Laço, Agim Doçi dhe dy hitet në bashkëpunim me Sabina Danën 'Jeta në dy pjesë dhe Fale zemrën' që kanë 1 vit që janë në trasmetim. Në këtë album ka edhe shumë balada e këngë folk në një stil ndryshe, e gjitha kjo është një punë 5-vjeçare", kështu tregon për gazetën "Panorama" projektin e tij më të ri këngëtari i njohur shkodran, Ervin Bushati.

Si po ecën karriera deri më sot dhe sa i kënaqur je?

Mendoj se çdo gjë po shkon më së miri, është shumë e rëndësishme të jesh në treg pas kaq vitesh karrierë.

Pse nuk je shumë i përfolur në mediat rozë për skandale?

Ndoshta ngaqë jam natyrë e tërhequr ndaj skupeve mediatike, që në të shumtën e rasteve disa kolegë i krijojnë vetë…

Me cilat suksese do ishe mburrur një ditë?

Secila kohë apo periudhë ka ato të veçantat e saj dhe kulmet gjithashtu, unë kam pasur një grup i cili ka ngelur gjatë në memorien e shqiptarëve, siç ishte grupi "Mister" me të cilin sollëm shumë hite në një album, këngë të cilat e them pa frikë se hodhën themelet e muzikës moderne shqiptare pas viteve të '90-të. Më pas fillova të përpunoja muzikën popullore me përfaqësuesit e saj, duete me Bujar Qamilin, e Irini Qirjakon, ku u pritën mjaft mirë e që atëherë nuk jam ndalur deri në këtë moment që sapo kam lançuar edhe albumin tim të pestë.

Cilat ishin planet e verës, a je munduar t'i realizosh të gjitha?

Kjo verë ka qenë shumë e ngarkuar për mua, pasi isha në momentet e finalizimit të albumit me titull "Veç për ty", një super angazhim me 11 këngë të autorëve dhe natyra të ndryshme, pa lënë mënjanë koncertet live në bregdet dhe nga shtatori do të realizoj edhe klipin tim më të ri.

Si ecën jeta sentimentale, ka ndonjë shtesë të re në këtë drejtim?

Unë jam i martuar dhe kam dy djem, Anteo dhe Bjorni.
(Panorama)

Ervin Bushati: Disa Kolegë I Krijojnë Vetë Skupet