>
BIOSHQIP

Evi Reçi Rikthehet Me Një Material Të Ri Muzikor

27-12-2012
Rubrika “Pink Report” në emisionin “Rreze Dielli” ka vijuar këtë javë me një këngëtare mjaft interesante si Evi Reçi.

Ajo ndodhet aktualisht në Tiranë për të festuar festat e fundvitit si dhe për të përfunduar materialin e ri muzikor, i cili do të mbajë firmën e “Threedots Production”.

Evi është shprehur se gjatë tre viteve të bashkëpunimit me këtë studio ka gjetur veten si artiste. “Ka shumë kompozitorë por unë kam gjetur mirë veten me Florian Mumajesin.

Është shumë e rëndësishme që një artist të flasë hapur me kompozitorin e tij dhe ai të të kuptojë mbi stilin që ke, si dhe të mos devijojë, pasi edhe këngëtari shprehet më mirë në këngë, por edhe puna e kompozitorit del në pah më mirë. Gjithashtu krijohet edhe një marrëdhënie miqësie".

Stili i përdorur prej këngëtares Reçi është retro pop, duke dashur kështu të njihet për identitetin e saj në muzikë e jo për këngët komerciale, të cilat sipas saj gjithsesi nuk duhen parë aq negativisht.

Gjithashtu Reçi ka folur edhe për jetën në Itali, studimet për gazetari dhe shkenca komunikimi si dhe punën në radio. Ajo është shprehur se i kupton më shumë gazetarët duke qenë se është vetë në këtë profesion dhe sipas saj marrëdhënia ndërmjet gazetarëve dhe artistëve është reciproke, pasi kanë nevojë për njëri-tjetrin.

E pyetur për intervistat që ajo ka zhvilluar në Itali, bukuroshja bionde ka veçuar atë me aktorin e njohur italian Lino Banfi, Roberto Vecchioni fituesi i Sanremos para disa vitesh. Gjithashtu ajo ka mundur intervistojë edhe artistë shqiptarë si Olen Çezari edhe balerini Kledi Kadiu.

Evi Reçi nuk do të jetë pjesë e festivalit të Top Festit pasi koha nuk ia lejon një gjë të tillë. Karizmatike dhe e qeshur Reçi është shprehur se do t’i kalojë festat e fundvitit së bashku me familjen e saj në Shqipëri për t’u rikthyer më pas në Itali për të vijuar studimet.
(shqiptarja)

Evi Reçi Rikthehet Me Një Material Të Ri Muzikor