>
BIOSHQIP

Evis Mula, E Rritur? Jo Plotësisht

16-03-2013
Vjen nga Milano ku merret me opera dhe së fundmi ka interpretuar te Rigoleto në “La Scala” për të prezantuar festivalin e fëmijëve “Perform Fest”, me një imazh të rritur krahasuar me prezantimin çamarrok të viteve të adoleshencës. Megjithatë, Evis Mula nuk ka ndryshuar krejtësisht. Për të, mbyllja ideale e ditës është kur e gjithë familja është e mbledhur para televizorit dhe personi që i thotë e fundit natën e mirë është mami. Si dikur në moshën më të bukur për të (dhe për shumicën e njerëzve) të fëmijërisë. Dhe për tre muaj do ketë mundësinë të jetë mes fëmijëve

Cili është mëngjesi yt rutinë?

Mëngjesi im i zakonshëm: një gotë qumësht, vezë e rrahur e skuqur, ose bukë me gjalpë e reçel dhe mix frutash (hahaha).

Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?

Mëngjesi i ditëve të mia të zakonshme

Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?

Në kafenenë më të afërt që ndodhet pranë shtëpisë.

Me kë dëshiron të jesh në këtë gjerbje kafeje mëngjesi?

Përgjithësisht vetëm, pasi më pëlqen të pi një kafe të shpejtë, një vështrim të shpejtë shtypit të ditës dhe gati për punë.

A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?

Sigurisht që po, shpesh më mbush me sadisfaksione të mëdha, por jo rrallë më qëllon të kem dilemat e mia.

A iu devijon shpesh detyrimeve apo afateve ditore që ke?

Jo, mendoj se nuk më ka qëlluar ndonjëherë ta bëj këtë. Përkundrazi, përpiqem gjithnjë që të përballem me detyrimet e mia. Jam ajo çka personi përballë meje do të përcaktonte: “si një njeri tejet i përgjegjshëm”.

Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur në kësi rastesh?

Nëse do të më duhet t’i shmangem ndonjë detyrimi për të cilin nuk jam dakord ta përfshij veten, atëherë mbase dal nga situata me një ndër shprehjet më klishe, si “nuk ndjehem fort mirë sot…më duket se po më zë gripi” (hahaha).

A je dembele? Nëse po, kur të ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?

Po, hera-hera më qëllon të dembelosem, por kjo kur lodhem apo bezdisem nga studimi i përditshëm, por përpiqem mos ta vë veten në situata të tilla që dembelizmi mos të fitojë terren mbi mua.

Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën tënde?

Duke qenë se i mungoj shpesh Shqipërisë, kur vij kam neps për gatimet tona tipike tradicionale.

Fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?

Më ftojnë më së shumti.

A je kursimtare?

Përpiqem, por s’e kam këtë dhunti.

A ke në rit gjumin, apo pushimin e drekës?

Është një ndër ritet e mia të preferuara, më pëlqen shumë dhe gjumi i drekës, por jo gjithmonë gjej mundësinë për t’u shkëputur e për të pushuar.



Kur ke qenë e vogël, a ta kanë diktuar prindërit pushimin e detyruar të drekës? Bëje rrenga për t’i shpëtuar?

Gjumi i drekës në fakt është një disiplinë e fituar në fëmijëri, mamaja ime më detyronte të flija të paktën një orë gjumë në drekë me justifikimin më të zakonshëm “fli të keqen mami se gjumi të rrit!”. Por gjithmonë gjeja ndonjë rrengë për mos ta bërë këtë, sepse fëmijë më pëlqente më tepër në atë orë të ditës të luaja me diçka sesa të flija gjumë.

Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?

Sensin fëminor, dëshirën për ta nisur ditën me gëzimin më të natyrshëm dhe gjithmonë me radion ndezur në mëngjes.

Cila është koha, që mbart për ty kujtimet më të bukura?

Pa dyshim që fëmijëria, por dhe vitet e shkollës së lartë pranë Konservatorit të Arteve në Tiranë.

Po kujtimet e hidhura?

Kujtimet e hidhura përpiqem gjithnjë t’i hedh pas shpine.

Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, i mban vetëm për vete…? Ke mbajtur ditar?

Ditar kam mbajtur kur kam qenë nxënëse në bankat e shkollës, por në vitet më pas nuk gjeja më frymëzim për ta bërë këtë. Sigurisht që duke pasur një natyrë shumë të brendshme më pëlqen që gjërat e mia personale t’i mbaj në vetvete, por nëse vjen një moment kur kjo fillon të më rëndojë, atëherë zgjedh të rrëfehem, por vetëm nëse marr energji pozitive nga personi që kam përballë, ku përgjithësisht qëllon rëndom të jetë shoqja ime e ngushtë.

Çfarë ka në portofolin tënd?

Përveç parave, kartëvizita të ndryshme dhe fotografi timen dhe të vëllait nga fëmijëria jonë.

Në mëngjes e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?

Asnjëherë, prandaj përpiqem ta gjej atë që në darkë.

Cila është ngjyra që mbizotëron në shtëpinë tënde?

Ngjyra rozë, për çudi.

Ekziston një aromë të cilën ti e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makine?

Po, më pëlqen të kem gjithmonë aromë të mirë përreth meje. Më pëlqejnë fragrancat sa më të lehta e femërore. Kremrat, deodorantet ‘Dove’ se pse më krijojnë idenë e një fragrance sa më natyrale. Jo ushqime të paketuara dhe aromatizues ambienti. Më pëlqen era natyrale e luleve për ambientin.

Çfarë CD ke në makinë?

Chopin – Kristian Zimmerman dhe jazz- Nora Jones

Çfarë muzike ke zile telefoni?

Asgjë speciale, rington të zakonshëm.

A ke miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?

Po, kohët e fundit na ka qëlluar të takohemi rrallë.

A je e hapur për miqësi të reja, apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?

Jam e hapur sigurisht dhe mund të them se me profesionin që kam, kjo më bën të kem dhe shumë kolegë me të cilët kam lidhur raport shumë miqësor.

Ku rri zakonisht me miqtë?

Në Skype.

Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi? Pra kur mbaron zakonisht dita jote?

Darkën vonë. Zakonisht kam shumë dëshirë dhe thuajse gjithmonë ndodh kështu që darka të më zërë në shtëpi.

Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde?

Një darkë e ngrohtë mes prindërve përpara ekranit të televizorit.

Po idealja cila do të ishte?

Pikërisht kjo.

Kur shkon për të fjetur?

Natën vonë, përgjithësisht rreth orës 12.

Cila është uniforma jote e gjumit?

Pizhamet e gjera, të rehatshme, të pambukta.

Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?

Mami.

Aroma

Ajo natyrale, e luleve, është e preferuara e saj. Çfarë është artificiale dhe e paketuar, nuk bën për të.

Muzika

Chopin – Kristian Zimmerman dhe jazz- Nora Jones janë CD-të që mbushin me muzikë mjediset e saj.

Pizhamet

Pizhamet e gjera, të rehatshme, të pambukta, janë të preferuarat e vajzës që gjatë punës së saj i ndodh të veshë edhe fustanet më të rënda të shekujve të kaluar.
(GAZETA MAPO)

Evis Mula, E Rritur? Jo Plotësisht