Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


CORONAVIRUS NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Shen Pjetri Ne Mangall

Fryn' e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.

Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.

S'del askush që t'a shpëtonjë,
Roma do t'a kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.

Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u-koll këndezi
Nga qymezi.

Dhe një shërbëtore i tha:
"Je dhe ti një nga ata!"
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

"S'ka e s'ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S'ka si zjarri."

-"Nga ata je!"- thot' ajo,
E mohon Shën Pjetri: -"Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!"

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

"Shkab' e shkëmb me poz' e fjalë,
Se ç'na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje."

Thot'ajo: -"Je, mos gënje!"
Pjetri e mohon me be:
-"Jo, për Zotin, moj aman,
S'jam e s'jam."

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

-"Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.

Se ç' e dogje, se ç' e fike,
Gjel me gjëmb' e këng' armike.
Dhe ndërgjegjen se ç' ia çpove,
Se ç'ia zgjove.

Se ç'vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her' e mohoj pa gdhirë,
Faqe-nxirë.

- poezi nga Fan Noli


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.8 / Votuan:  37

Komente mbi këtë krijim


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet