Legjenda Eli-Basami

“Nën beton
Ëndrra është ende gjallë
dhe qindra milionë kohëzgjatje të
një bote që nuk vdes kurrë...”
(David Byrne: “Qyteti i ëndrrave”. )

Thonë se qenka hutuar nga bukuritë e tua
e shkëlqimi yt ia ka endur sytë me një rrjetë të gurtë
si ato të Kalasë të lidhur me baltën më të mirë të tokës tënde,
thonë se në shesh
zemrën ia ka shtangur një peri që shfaqej tutje mbi Krastë
dhe atë ditë paska zënë shtratin me ethe
duke u përhumbur shkretëtirave ku buza i përthahej për ujë
e duke ngrënë çorbën që ia kishin gatuar
pastaj mezi kishte dalë nga çadra e tij
mbi një shkop gjysëmlakuar
të cilin e nguli mjaft lehtë i hutuar
dhe aty ndodhi një mrekulli e radhë
mbiu brenda javës një rrap
e kjo iu tregua brezave në rëfenjën e gjyshit të gjyshërve,
që i dilnin shekujve zot vatanit
me damarët e lashtë të asaj balte
ku flet legjenda e Rrapit të Bezistanit.

Thonë se për muaj më pas nuk u hap më çadra
nuk dilte më në dritë Sulltani
ngarreth buronte ujët e kristaltë dhe shfufuronte balta
nën këmbë të rrënda nizami,
e Bukaniku i shtonte ulërrimat e ujqërve
e dimri sillte dhelprat rrotull e qark
në atë vend dëgjohej puna e bujqërve
shpata që thëpinte në mal
me vete habitej e vetëm jerm fliste: “C’bëhet këtu?, Ku jam?”
e në gjuhën e tij përsëriste një fjalë
ELI-BASAM, ELI-BASAM...*

Thonë se pas shumë muajsh iu hap dera çadrës
doli dhe hodhi sytë vërdallë
ç’janë këto bukturi, ç’janë këto vende
në mal dëborë, në fushë gjelbërim i radhë,
fshiu sytë dhe foli me vete: ‘këtu lindka jeta dy herë në sene!’

Dhe uji vazhdoi pikempikë
të rridhte i freskët dhe të shërronte plagë në trup
ullinjtë tejzgjateshin kodrave përreth si qerpikë
dhe buka në fushë, pak bukë
po njerëzit lanë pendët në ugar
nënat tundën fëmijët në djep, burrat dolën në rrugë,
dhe qielli u mbush me re mbi mal
Dielli iku kreshtave që tjerrnin si furkë
leshngritjen e nizamit me bisht ndër shalë.

Shënim: Eli-Basami, turqisht vura dorë.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  3 / Votuan:  1