>
LETERSISHQIP

Diamante Nga Shpirti I Fatos Arapit

Më ngutin, më trazojnë vargun “Patat e egra”. “Deti në mes”
dallgëzat m’i ysht të kuvendoj fjalë valësh që i lashë larg
dhe për një këngë që u këndua labçe në Sarandë
(dua ta rilexoj atë fjalë të bekuar në varg, atë varg dua ta shoh
si i gëzohet kësaj dite të lartësimit poetik,
si flet e gëzohet për lindjen e shenjtë)
dhe t’ia dhuroj një gjerdan të artë vargu
me stërkalat më të shtrenjta që dalin nga zemra e Jonit
e perlat që ka Riviera shqiptare, gjithë Bregu, prej së largu.
Dua të rishkruaj, veç të rishkruaj atë që është shkruar dua
se qenkam si batica në Hënën e plotë
që i erdhi forca e iu fry vala
e mezi ç’pret ta stukojë copëzash ndër guralecë
dhe ta thotë atë postulatin e radhë:

“Drejt qindra shekujsh shkojmë”!

E ç’më zgjoi ngutmia të lartësojë artin e fjalës,
e nisa pak ndryshe, ndoshta së prapthit,
nën shiun londinez të përtjetërsuar të rradhës
veç shkul pak diamante nga shpirti i Fatos Arapit
ti hap shtigje të tjera vargut mes fjalës!...

Shënim: “Patat e egra”; “Deti në mes”; “Drejt qindra shekujsh shkojmë” janë tre nga disa nga vëllimet e poetit Fatos Arapi.