>
LETERSISHQIP

Rrrokadë

Që nga Sër Humphry Davyt deri tek Thomas Edisoni
përpjekjet për të zbuluar dritën u bënë të thella
se nata ishte bërë mbretëreshë
që nga shpella.

Të tjerë, si de la Rue, de Moleyns, Suan
u lodhën në të njëjtin rrugëtim,
që t’ia shkulnin errësirës mbretërimin,
për t’ia falur dritës.

Atje ku ndodh ndryshe, errësira dhe drita bëjnë rrokadë,
ndërrojnë vetëm krahët.

Errësira ulet mbrëmjeve ngadalë dhe tregon përrallat e mbrëmjes
se si ia ka zënë vendin dritës,
atje ku peshku është në det e tigani mbeti në zjarr,
drita nxitohet tinës dhe nis pazar.

Kështu dritës nuk i duhet shumë kohë, i mjafton pak
sa për të bërë gati një duvak.
Çdo gjë tjetër është vetëm kalendar,
nën ngrehinë ku vetëm fryma pret të dalë.

Në këtë ngrehinë ngjiten e zvarriten hijet,
produktet binjake të të dyve,
ishin dikur të ndarë me një tis,
sot edhe buzëmbrëmjen e kanë bërë pis.

Dalin pikërisht në atë kufi të ditënatës,
për t’ia plasur gallatës.
Nata me gishtin e saj tregues,
drita me po të njëjtin emërues. E gjitha është një shaka
ku jeta gudulis me kujdes,
fatin e njeriut në dritëhije.