>
BIOSHQIP
Biografia
Kur njerëzit e shumtë që vizitojnë qytetin e bukur buzë lumit Rhein marrin daljen kryesore të stacionit hekurudhor, i pret ndërtesa madhështore e Kölner Dom. Derisa turistë të shumtë me kamera në duar lëvizin në drejtime të ndryshme të gjejnë pozitën më të mirë për të fotografuar këtë Katedrale madhështore, disa të tjerë kanë harruar për një kohë simbolin e këtij qyteti dhe janë mbledhur rreth një djaloshi. Ai, me kitarë dhe me një zë të mprehtë, duket se i ka rrëmbyer ata njerëz në rrugëtimin e tij muzikor, me ritmet e një roku melankolik.

Te publiku vërehej një kurreshtje se kush këndon në origjinal këngët që i këndon djaloshi, i cili e quan veten „Dunkles Licht“ (Drita e errët), por edhe se kush fshihet pas këtij emri artistik, derisa dëgjojnë vargjet e tij:

“Öffne dein Geist bist du siehst was Du sein kannst… aufwachen du bist so nah, aufwachen du bist so nah an deinem Ziel“.

(Hape shpirtin të shohësh se kush mund të jesh…zgjohu, ti je aq afër, zgjohu, ti je aq afër qëllimit tënd).

Autori i kësaj muzike dhe këtyre vargjeve është vetë djaloshi, i cili fshihet pas këtij emri artistik. Quhet Faton Lahaj, është lindur në Prishtinë, ku edhe ka nisur rrugëtimi i tij muzikor. „Ushtronim me shokë në bodrume të errëta, të lagshta e të ftohta të ndërtesave dikund në Prishtinën e viteve të 90-ta“, fillon rrëfimin e tij Fatoni që është ndër themeluesit e grupit muzikor „Purgatori“.

“Ishte një kohë e zymtë, e pasigurt, e pashpresë. Përgjigjja jonë për këtë ishte muzika. Gjithçka sillej rreth saj. Muzika ishte mënyra jonë e luftës për mbijetesë“, vazhdon ai duke u ndalur te një ngjarje e rëndësishme për të, koncertin e tij të parë. “Kënduam për herë të parë para publikut, në „Teatrin Dodona“ në vitin 1995. Ishte ky një moment i paharruar për ne“.

Rrugëtimin e tij muzikor e vazhdoi në Gjermani. Të fitosh bukën e gojës me muzikë në Gjermaninë e viteve të fundit të shekullit të 21-të ishte vështirë. Fatoni kryente punë të ndryshme, por çdo mbrëmje pas pune i kthehej kitarës. Kjo ishte „puna“ të cilën e kryente me dashurinë më të madhe. Edhe në mërgim muzika ishte ajo që i jepte fuqinë të mbijetojë çdo situatë të vështirë.

Ai filloi të këndojë rrugëve të Kölnit, ndërkohë që grumbulli i njerëzve që mblidhej të dëgjonte muzikën e tij bëhej gjithnjë e më i madh. Natyrisht se ndër ta kishte kalimtarë të rastit, por Fatoni ndërkohë kishte dëgjuesit e tij të rregullt që e përcillnin në çdo kënd të Kölnit.

Filluan pastaj angazhimet në manifestime të ndryshme. Me aftësinë e tij të performojë, Fatoni ndriçonte skenat e klubeve të natës. Në një klub nate kërkohet ana e tij si këngëtar rocku, por ai shpesh performon edhe në festa private, ku rocku i tij është melankolik. Por, gjithmonë pa humbur origjinalitetin e tij.

„Muzika më inspiron, për shkak se kur këndoj e luaj kitarë, jam unë vetë. Nuk mundohem ta kopjoj askënd, jam origjinal unë“.

Në ndërkohë është vështirë të takosh Fatonin duke kënduar në ndonjë rrugë të Kölnit. Numri i performancave është rritur aq shumë, sa ai e ka vështirë të merret me organizimin e tyre. Prandaj Fatoni është në kërkim të një menagjeri, me të cilin do të bënte edhe hapin e ardhshëm në profesionalizimin e aktivitetit të tij. Edhe pse Kölni është qytet i mediave, një hap i tillë nuk është aspak i lehtë.

Ndoshta hap i parë në këtë drejtim ishte ftesa e Lion Club Meinerzhagen-Kierspe në koncertin e tyre vjetor. Aty, në përcjellje të Orkestrave Kamertale të Meinerzhagen dhe Wipperfürth, në udhëheqjen e Mirko Kohlmann, Fatoni pati një performancë të shkëlqyeshme.

“Duhet kohë të shërohen plagët që i kam bërë vetes në këtë rrugëtim. Do të verbohem nga brengat, m’i hap sytë, të lutem. Sa shumë do të doja të të shoh“, jehonte zëri i Fatonit në sallën e mbushur plot. Duartrokitjet ishin të gjata. Ftesa që të performojë në koncertin e ardhshëm iu bë menjëherë në të njëjtën mbrëmje. Në nëntor të këtij viti Fatoni do të dalë prapë në këtë skenë.

Me shpresë për paraqitje të tilla sa më të shumta, Fatoni vazhdon në mënyrë autodidakte punën e tij me muzikë, duke gjetur nganjëherë edhe kohë të ulet buzë lumit Rhein. Aty takon disa shokë shqiptarë, me të cilët këndojnë këngë të rock skenës kosovare të viteve të ‘90-ta.

Gjithmonë i vendosur të arrijë qëllimin e tij, të cilit iu ka afruar aq shumë.

Më datë 26 Qershor 2014, Faton Lahaj publikon videoklipin "Shiu".