TEKSTESHQIP
Festivali i 55-të në RTSH
Lindita Halimi me këngën “Botë” u shpall fituese e Festivalit të 55-të këngës në RTSH. Ajo mori unanimisht votat e jurisë së specialistëve dhe publikut nëpërmjet rrjetit socail Facebook. E emocionuar ajo tha se “Do të mundohem të mos ju zhgënjej”. Pas këtij suksesi, Lindita Halimi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Nata e tretë finale e Fest ’55 në RTSH ishte një spektakël mbresëlënës. Ajo ka nisur me një moment befesues dhe emocionues. Për herë të parë në Shqipëri me teknikën e halogramës u shfaq ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela, me hitin e saj “Moj e bukura Shqipëri”. E konsideruar këngëtarja më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela, me karrierën e saj të shtrirë në disa dekada, ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek publiku. Ajo u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare. Shfaqja vërtetë magjike u duartrokit gjatë nga publiku. Një tjetër moment ishte prania e sporanos me famë botërore Inva Mula, e cila risolli edhe njëherë në memorien e publikut këngën e babait të saj, artistit të njohur Avni Mula, “Shqipëri o vendi im”. Duartrokitje solli edhe një kolazh i përzgjedhur nga këngët e festivaleve ndër vite në RTSH kënduar nga Ledina Çelo dhe Sidrit Bejleri. Përveç votave të publikut, një traditë e rikthyer kjo në Festival, këngët e mbrëmshme u vlerësuan nga juria qendrore që gjendej në sallën e Pallatit të Kongreseve, e përbërë nga këngëtarja Vikena Kamenica, regjisori Altin Basha, këngëtarja Alma Bektashi, kantautori Vlashent Sata, autori Arben Duka dhe sopranoja Inva Mula. Përveç jurisë në sallë, këtë herë dhanë votën e tyre edhe disa personalitete të tjerë të muzikës. Elsa Lila, Nertila Koka, Adelina Ismaili, Anjeza Shahini dhejuria Agim Krajka ishin pesë emrat e mirënjohur të muzikës shqiptare që vendosën për emrat e fituesve, por këta nuk ishin të vetmit emra që vendosën për “fatin” e këngës së këtij viti. Juria e natës finale ishte e ndryshme nga ajo e dy netëve të para. Dy juritë e natës së tretë patën një rezultat të ndryshëm nga votat e publikut, që zinin 40% të rezultatit përfundimtar. Çmimi i parë i Lindita Halimit, ndiqet nga Genc Salihu me çmim të dytë dhe Dilan Reka në vend të tretë. Edhe dy çmimet e tjera do të shkojnë në “Eurosong” si pjesë e delegacionit. Kënga fituese e festivalit do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, i cili do të zhvillohet në Kiev të Ukrainës, në datat 9, 11 dhe 13 maj 2017.
Festivali i 55-të në RTSH (Tekste & Video)
Image 155044
Image 155038
  • Festivali i 55-të në RTSH
  • Viti: 2016
  • 21/12/2016 - 23/12/2016
  • Pallati i Kongreseve, TIRANË
  • Prezantuesit: Ledina Çelo & Kasem Hoxha
  • TV: RTSH
  • Radio: Radio Tirana