>
BIOSHQIP

Flaka Krelani: “është E Rëndë Të Mos E Marrësh Atë Që Të Takon”

03-02-2014
Ishte fokusuar tërësisht në spektaklin “Dancing With the Stars”. Dhe pas përmbylljes së një edicioni të tërë kërcimi, këngëtarja Flaka Krelani, përveç eksperiencës së pa-jetuar më parë në vallëzim, ka ndarë me lexuesit e Tribunës garën në kërcim, e rikthimin në Prishtinë bashkë me planet e shumta për muzikë

Dashurinë karshi vallëzimit e kishte ndjerë kohë më përpara. Por ishte një ftesë e bërë nga spektakli tashmë i parvjetshëm “Dancing With the Stars” në Shqipëri, që e nxori në pah përballë publikut profesionalizimin e saj në vallëzim. E sot, derisa ka përfunduar një udhëtim të gjatë dhe mjaft të lodhshëm në garën e vallëzimit, Flaka Krelani për Tribuna ka treguar eksperiencën e saj në këtë garë të vlerësuar suksesshëm.

“Eksperienca ka qenë shumë e bukur. Madje edhe para se të angazhohesha në “Dancing...” e kam pritur se do të jetë diçka e bukur dhe ndryshe nga ajo që jam mësuar ta sjell tek publiku. Nuk kam menduar dy herë, në momentin që më është bërë ftesa, sepse i kam ditur aftësitë e mia që e vogël, se çfarë jam në gjendje të bëj.

Por, ka qenë diçka tjetër që nuk e kam shfaqur tek njerëzit. Unë e kam thënë se këngët që unë kam shfaqur në publik, nuk kanë qenë të përshtatshme që unë të vallëzoj. Mirëpo, plani që unë të shfaq para publikut edhe pjesën time të vallëzimit, u kurorëzua me një ftesë që erdhi nga spektakli në fjalë”, kështu ka treguar këngëtarja, ndërsa ka treguar se karshi kënaqësisë nuk i kishte munguar as lodhja

“Eksperiencë e papërshkruar, shumë lodhje dhe stres i paparë, por që gjithçka kanë mbuluar momentet kur unë tregoja aftësinë time në vallëzim. Besoj që secili njeri duhet të provojë diçka që vërtet e do, sepse në fund të shpërblehet. Nëse jo me çmim, shpërblehet me dashurinë e popullit, të cilën veç ma treguan, për çfarë unë jam shumë e lumtur”.



Aty vetëm fillova!

Ndërsa ka treguar se puna e secilit artist është e rëndësishme që të pranohet mirë tek publiku, Flaka ka theksuar se pikërisht dashurinë e madhe të publikut e fitoi në këtë garë, për të cilën ka nënvizuar se është çmimi më i madh për të.

“Edhe atje më kanë pyetur se nëse kam kryer shkollë të baletit. Por, jo! Unë kam qenë në drejtimin teorik, por jo në balet. Me vallëzimin më ka lidhur vetëm dashuria për të”.

E zotuar të vazhdojë me vallëzimin, ajo nismën e saj në spektaklin e sapo-përfunduar e sheh vetëm fillimin e saj. “Udhëtimi im nuk mbaron në “Dancing...”. Aty vetëm filloi. Në të ardhmen do të jem 100 për qind këngëtare dhe valltare”, ka theksuar në vazhdim Flaka, ndërsa ka treguar se kjo paraqitje në vallëzim ishte një test se si do të pranohet vallëzimi i saj tek publiku.



Duke mos dashur të komentojë natën finale të këtij edicioni, këngëtarja ka theksuar prerë “Unë e di sa është e rëndë të vish në atë pikë e të mos e marrësh atë që të takon ty. Nuk e kisha diskutu këtë temë aspak sepse vërtet nuk ja vlen. Vetëm unë e di sa ka qenë për mua të luftoj aq shumë për diçka që nuk është e jotja. Besoj se po kuptohet se çfarë dua të them. Gjithsesi fitova pëlqimin e publikut, dëgjova zërin e tyre të cilët më përkrahën shumë. Kjo më mjaftoi dhe është gjëja më e rëndësishme për mua. Gjithsesi nuk ua uroj asnjërit prej kolegëve të mi të kalojë në hapat që unë kalova!”.
(Melihate Gashi)

Flaka Krelani: “është E Rëndë Të Mos E Marrësh Atë Që Të Takon”