Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?