>
BIOSHQIP
Biografia
Grupi i njohur kosovar i vallëzimit break dance, “Future Steps” do të përfaqësojë Kosovën në një garë vallëzimi në Itali. Pas kësaj anëtarët e këtij grupi janë duke planifikuar hapjen e një shkolle profesionale të vallëzimit në Kosovë.

Viti 2013 për grupin “Future Steps” po fillon me sukses. Anëtarët e këtij grupi do të përfaqësojnë Kosovën në kampionatin e vallëzimit “Floor Wors”, që do të mbahet në Itali me 25 dhe 26 të këtij muaji.

Tash e 3 vjet “Future Steps” janë pjesë e këtij kampionati, thotë koreografi i këtij grupi Sahit Aliu. Ky kampionat mbahet çdo vit dhe në të janë pjesëmarrës një numër i madh i grupeve të vallëzimit nga vende të ndryshme të botës.

Ky grup u shfaq nëpër televizionet tona në vitet e para të pasluftës. Vallëzimi i djemve të këtij grupi ishte i një stili tjetër të veçantë që i bënte të dalloheshin nga grupet tjera, andaj ata lehtë mbaheshin mend nga publiku dhe kështu shumë shpejt u bënë të njohur.

“Grupi ‘Future Steps’ është formuar në vitin 2000 dhe që nga ajo kohë merret me vallëzime të zhanreve të ndryshme moderne dhe aktuale në botë”, tha Aliu.

Sipas tij grupi ka ndryshuar shumë që nga koha kur është formuar duke iu referuar këtu stileve të ndryshme të vallëzimit si dhe valltarëve.

“Ky ndryshim ka ardhur sidomos pas pjesëmarrjes në një garë në Holandë ku mes 86 shteteve pjesëmarrëse ne u vlerësuam me vendin e 5-të të nivelit botëror. Ndryshimet në stile të vallëzimit dhe valltarët na sollën vetëm pozitivitet dhe suksese të paluhatura”, shton Aliu.

Aktivitetet dhe sukseset ndërkombëtare ata i shoqëruan edhe gjatë garave të tjera ku ishin pjesëmarrës; në Zvicër, Greqi, Francë.

Grupi u zgjerua edhe me hapjen e degëve te tij në qytete të ndryshme të Evropës si Suedi, Gjermani dhe Zvicër që padyshim i solli vetëm sukses.

Për sa i përket paraqitjes së tyre në videoklipe të ndryshme koreografi i grupit tha se ata ende kanë kërkesa për të qenë pjesë e videoklipeve, dhe se këngëtarët janë ndarë gjithmonë të kënaqur me punën e tyre.

Natyrisht se nga kjo garë presin më të mirën, mirëpo për gazetën Express, Sahit Aliu bëri të ditur se angazhimet i presin pasi që të kthehen .

“Pas kthimit tonë nga Italia do të hapim një shkollë profesionale të vallëzimit, e cila, përveç instruktorëve vendorë, do të ketë edhe instruktorë ndërkombëtarë, projekt ky në të cilin jemi duke punuar intensivisht”, u shpreh ai.

“Përveç kësaj do të punojmë edhe për realizimin e kampionatit të vallëzimit në Kosovë, i cili po realizohet tash 3 vjet dhe është bërë tradicional”, tha në fund të bisedës së tij për Express Sahit Aliu.

Më datë 2 Korrik 2009, Future Steps publikojnë videoklipin "Dance Beat". Me këtë këngë, Future Steps marrin pjesë në Zhurma Show 2009 në vitin 2009.