>
BIOSHQIP

Genc Salihu: “Këtë Vit Do Ti Përvishem Punës Për Një Album”

22-01-2016
Është ndër të paktët që kultivon muzikën e mirëfilltë, këngët e tij janë shpesh këngë sensibilizuese të cilat kanë një mesazh brenda vetes, fjala është për kompozitorin Genc Salihu i cili vjen sot në një intervistë ekskluzive për teksteshqip.com. Aktualisht ai është njëri nga trajnerët e The Voice of Albania, e ndërsa vitin e kaluar konkurenti i tij Aslaidon u shpall fitues. Ju ftojmë që më poshtë të ndjekim përgjigjjet e Gencit: TeksteShqip: Genci, jeni i angazhuar së fundmi me spektaklin e njohur "The Voice of Albania". Na trego pak si po ju ecën puna atje? Genc Salihu: Shumë mirë. The Voice asht emision që e ka prioritet muzikën, e ma specifikisht vokalin, prandaj unë e gjej veten shumë natyrshëm aty. Poashtu, gjetja dhe kultivimi i talentit të ri asht dicka që e baj me shumë entuziazëm.



TeksteShqip: Keni mjaft zëra të mirë në skuadrën tuaj, por a keni ndonjë të cilin do ta veçonit më tepër dhe mendoni se ka potencialin e duhur për të fituar? Genc Salihu: Asht hala herët, nuk kam mbërri me e kuptu potecialin e plotë të secilit. Kjo pritet të shpaloset gjatë fazave të ardhshme të spektaklit. Këtu asht edhe lezeti i The Voice, a po jo? TeksteShqip: Po konkurenca me zërat e tjerë tek anëtarët e tjerë të juisë ju duket mjaft e fortë këtë vit? Genc Salihu: Asht e vërtetë se ky vit duket ma garues. Kam bindjen se kjo ka të baj me faktin se janë paraqitë nji numër i madh zanesh të mira. Poashtu, diversiteti mes tyne sivjet asht mbresëlanës. TeksteShqip: "Shtyje" është kënga juaj më e fundit, një projekt shumë interesant. A mund të na tregoni se çfarë ka si qëllim dhe sa ka pasur sukses ky projekt? Genc Salihu: Kjo kangë asht si hapje e nji kapitulli të ri për mu. Po hulumtoj në fusha muzikore të cilat ia pata ndalu vetes në të kaluemen, edhe pse live, me materiale cover, gjithmonë i kam shiju, por kurrë në kangët e mia. Soul, blues, r'n'b... Mendoj se asht nji zhvillim i natyrshëm. Fundja, asht zhvillim dhe kjo asht gja e mirë, besoj.



TeksteShqip: Ndërkohë jeni duke pregaditur ndonjë projekt të ri muzikor për 2016-tën? Nëse po, mund të na zbuloni pak detaje? Genc Salihu: Jam tue mbledhë kangë. Kam materiale shumë interesante që po i punoj. Këtë vit, mbas The Voice, do t'i përvishem punës për nji album. TeksteShqip: Me koncerte angazhoheni shpesh? Genc Salihu: Fatkeqësisht jo aq shpesh sa kam nevojë, si pasojë e mungesës së nji industrie muzikore funksionale. Ka shumë publik shqiptar të cilit nuk i ofrohet muzika e dëshirueme dhe detyrohet të orientohet eksluzivisht nga muzika e huej. Më cudit qysh nuk ka dalë hala nji biznesmen me e shfrytëzy këtë potencial, tue investu në artistë lokalë që janë pak ma ndryshe se Norat e Gentat e kohës sonë. Nji ditë kanë me i ra në fije. TeksteShqip: Na fol pak për jetën private. Si është një ditë e zakonshme e Gencit? Genc Salihu: Nuk zgjohem herët, përvec kur me të vërtetë asht e pashmangshme. Më duhet 2 deri në 4 orë me u kthjellë, në mënyrë që të funksionoj si duhet, e kjo dmth shumë shumë kafe. Mandej mbasdite, nëse asht rradha ime, e shetis Ringon, qenin tonë. Mbramja e hershme zakonisht asht kohë e punës: kompozim/orkestrim, këndim apo luajtje në instrumente. Mandej, idealisht, me Kaltrinën në shtëpi tue gatu dicka, tue ndigju muzikë, tue u kënaqë. Mbasi që ajo flen, unë lexoj apo shkruej. Pjesa ma e vështrirë asht me më marrë gjumi.



TeksteShqip: Ndërkohë Genci një kohë e gjatë pa u paraqitur në festivale. Mund të na thoni pse kjo distancë kaq e gjatë? Genc Salihu: Në fakt, hera e fundit që kam marrë pjesë në nji festival ka qenë në vitin 1998, e ky ka qenë festivali i dytë në të cilin kam marrë pjesë. Nuk më pëlqen që krijimet e mia të vlerësohen nga juri të ndryshme. Poashtu, formati i festivalit garues muzikor asht vjetëru dhe gjithkah nëpër botë asht zbehë ndikimi i tij. Asht vërtetu se ky lloj formati, në vend se ta avancojë muzikën, e futë ate nëpër kallëpe të mërzitshme. TeksteShqip: Jeni ndër të paktët që kultivoni muzikën rock në trojet shqiptare, por çfarë mendimi ndani ju për muzikën komerciale e cila aktualisht është edhe më e pëlqyera nga publiku? Genc Salihu: Nuk mendoj se muzika ime mund të quhet rock, edhe pse asht e ndikueme prej rock-ut. Sa i përket muzikës komerciale shqiptare, mendoj se ajo po përmirësohet. Shumë gjatë kemi qenë të dominuem prej 'yjesh' që i kanë dridhë vithet playback, tu'e ofru nji lloj muzike krejt pa identitet, të cilën ia kanë imponu publikut me zor, nëpërmjet të shtëpive botuese jo serioze. Në natën e vitit të ri 2016, ndërkaq, Era Istrefi këndon LIVE në Tiranë, me bend, dhe kangët e saj e kanë nji lidhje me publikun cfare nuk e kanë pasë kangët e paraardhëseve të saj - publiku sikur e gjen veten te ato kangë deri në nji nivel ku Era bahet simbol shpirtnor i tyne, të pëlqeu, s'të pëlqeu! Këtë unë e quej sukses komercial, e jo ajo cka ka nisë Labia në vitet '90, me nji estradë të rreme me muzikë të rreme dhe performanca të rreme. Besoj se fenomenet si Era janë shenjë avancimi, edhe pse e nji avancimi ndoshta pak të vonuem. Kanë fillu me dalë njerëz ma të profilizuem në sipërfaqe, artistë që e kuptojnë botën, artin dhe show biznesin ma mirë. Natyrisht, gjithcka asht hala në fillim dhe duhet kohë dhe punë për me mbërri aty ku kemi dëshirë. TeksteShqip: Genci faleminderit shumë që ishe në këtë intervistë. Për fund çfarë do t'ju thoje fansave të tu? Genc Salihu: Nji puthje për të gjithë, së pari! Mos të urrejmë kaq shumë, se shumë po shajmë e po mallkojmë. Ma mirë me e ujitë lulen e mirë, se me e ndukë lulen e keqe.
(B.A/Teksteshqip.Com)

Genc Salihu: “Këtë Vit Do Ti Përvishem Punës Për Një Album”